Përçahen te Besa

Nis përçarja te Besa. Pasi bojkotuan ndeshjen e së shtunës me Lushnjën, e hëna dhe e marta është shoqëruar me rikthime. Shtatë prej tyre kanë bërë prapakthehu, duke u vënë nën urdhrat e Ndriçim Kashamit.

Çinonso Onuh, Konseisao Gonçalves, Uheid Hoxha, Egzon Shimaj, Adenis Zeqiri, Aleksandër Kacbufi dhe Ilir Dobjani e kanë mbyllur me kaq protestën për rrogat e pamarra. Ajo që ndodhi me kavajasit në javën e fundit, ishte një çudi më vete.

Megjithatë, në kohë rekord klubi përforcoi kontingjentin me të rinjtë e marrë nga grupmoshat. Por, me rikthimet e 7 lojtarëve në fjalë, stafi teknik do të jetë më i qetë për të përballuar 90-minutëshin me Apoloninë.

TË LARGUARIT: Lojtarët që kanë mbajtur peshën direkte përgjatë këtij sezoni, bojkotuan stërvitjen për çështjen e pagave. Por, zëri i tyre ra në vesh të shurdhër, pasi zgjidhje nuk kanë marrë. Që të gjithëve u ka skaduar kontrata më 31 maj 2020, ndaj nuk janë të kushtëzuar që të kthehen në stërvitje.

Dhe kështu kanë bërë, pasi në dy seancat e para të kësaj jave nuk janë dukur. Presidenti Nexhat Bizhdili në prononcimin e tij në lidhje me mosrikthimin e këtyre lojtarëve ka lënë të kuptohet që ata janë të lirë, gjithnjë nëse nuk duan që karrierën e tyre ta vazhdojnë te verdhezinjtë kavajas.

Konkretisht, bëhet fjalë për futbollistët jabanxhinj Alfred Zefi, Erion Xhafa, Ledion Muçaj dhe dy kavajasit, kapiteni Alked Çelhaka dhe Skerdian Perja. Për sa i takon peqinasit Bledar Lila, drejtuesit e Besës pohuan dje se ai do të rikthehet në ekip nga sot.