Për vozitje shumë të shpejtë muajin e kaluar 836 shoferë do të paguajnë gjoba prej 45 deri 400 euro

Shkup, 6 dhjetor – Gjatë nëntorit policia në rajonin më të gjerë të Tetovës ka zbuluar dhe ligjërisht ka sanksionuar gjithsej 836 shoferë të cilët e kanë tejkaluar shpejtësinë maksimale të lejuar, më së shumti në autostradën Gostivar – Tetovë – Shkup. Të gjithë ata shoferë do të përballen me gjoba në të holla të cilat për këtë lloj të shkeljes në komunikacion lëvizin prej 45 deri 400 euro.

“Krahas kësaj, të shpejtit ekstrem i pret edhe masa e marrjes së përkohshme të lejeve të tyre të vozitjes prej tre muaj deri në një vit. Prej atje, Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë përsëri u bën thirrje shoferëve që të mos vozisin shumë shpejtë, sepse edhe kushtet për lëvizje të automjeteve këto ditë janë përkeqësuar dukshëm, para së gjithash për shkak të rrugëve të lagështa, ndërsa edhe për shkak të paralajmërimeve se vijojnë edhe ditë të ftohta, veçanërisht nëse lëvizin drejtë Mavrovës, Strazhës dhe Kodrës së Diellit”, porositi zëdhënësi Marjan Josifovski.

Njëherësh numri prej 836 gjobave përfaqëson numër dukshëm të rritur në krahasim me muajin e kaluar tetor 2021 kur janë regjistruar gjithsej 311 tejkalime të shpejtësisë maksimale të lejuar në rajonin e Tetovës.

Në nëntor të vitit 2021 për shkak të shpejtësisë së papërshtatur sipas kushteve në rrugë janë regjistruar 23 aksidente në komunikacion, kryesisht me pasoja më serioze, si dhe 16 dalje nga rruga.