Pendarovski pranoi letrat kredenciale të ambasadorëve të Estonisë dhe Etiopisë

Shkup, 27 tetor – Presidenti Stevo Pendarovski sot i pranoi letrat kredenciale të ambasadorëve të sapoemëruar të Republikës së Estonisë dhe të Republikës federale demokratike të Etiopisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale nga ana e Raul Tomas, ambasador i sapoemëruar i Republikës së Estonisë, me seli në Budapest, presidenti Pendarovski theksoi se dy shtetet i lidh miqësia shumëvjeçare e sinqertë, duke theksuar se esenca e marrëdhënieve bazohet në vizionin e përbashkët për Evropë të lirë dhe të begatë, të ndërtuar ndaj parimeve të demokracisë, paqes dhe qeverisjes së të drejtës.

“Në këtë kontekst, më lejoni të shpreh mirënjohjen time për mbështetjen e qartë dhe të dukshme nga Republika e Estonisë për realizimin e qëllimeve tona strategjike – anëtarësimit në NATO dhe BE. Sot, ne jemi aleatë në aleancën ushtarake më të rëndësishme në historinë e Evropës – Aleancën e NATO-s, dhe së fundmi Republika e Maqedonisë së Veriut ndërmori një hap që mundësoi fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Si shtet anëtar i Unionit, përvojat dhe mbështetja juaj në kuadër të procesit të negociatave do të jenë të një rëndësie të veçantë për ne. Prandaj, dëshiroj të theksoj pritjen time që me fillimin e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, do të vazhdojmë ta konkretizojmë bashkëpunimin në fushën e integrimeve evropiane”, tha presidenti Pendarovski.

Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale nga ana e Demitu Hambisa Bonsa, ambasadore e sapoemëruar e Republikës federale demokratike të Etiopisë, me seli në Romë, presidenti Pendarovski e theksoi interesin dhe gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për përmirësim dhe zhvillim të mëtejshëm të përgjithshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Etiopinë në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si në planin bilateral, ashtu edhe në planin multilateral.

Presidenti Pendarovski ambasadorëve të sapoemëruar të Estonisë dhe të Etiopisë u dëshiroi sukses në kryerjen e funksionit me përgjegjësi diplomatike.