Pas infektimit me COVID-19, nga LDK thonë se gjendja e Isa Mustafës është stabile

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Rugova, ka thënë se gjendja e kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa, i cili ishte infektuar me coronavirus, ditë më parë është stabile.

“Gjendja e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa është stabile dhe do ta kalojë edhe këtë sfidë”, u shpreh ai.

Rugova , ka folur edhe për rastet aktive në këtë komunë, teksa ka thënë se 12 qytetarë janë të infektuar me coronavirus.

“Në Istog për momentin janë 12 raste aktive dhe 3 qytetarë që kanë bërë testin jashtë Institutit. Nuk ka asnjë në gjendje të rëndë dy janë të shtrirë në spital. Gjendja është e mirë në kuptimin e menaxhimit, por si shtab kemi qenë aktiv”, ka thënë Rugova.

I pari i Istogut foli edhe për projektet që janë duke u realizuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit në Istog, teksa potencoi se ka pasur vonesa për shkak të pandemisë.

“Projekti për palestër është në përfundim e sipër. Kemi edhe projekte të tjera të cilat i kemi planifikuar këtë vit nga buxheti komunal dhe shpresoj që do të përfundojnë, sepse ka pasur pengesa për shkak të pandemisë”, u shpreh ai.