PAKTI ME DJAJTË E PAZAREVE GRI

në kategorine Lajme/Opinione

Askush nuk e kishte menduar se pas tejkalimit të kontestit me Greqinë, Maqedonia e Veriut do të ketë edhe sfida të tjera që do ta vështirësonin rrugëtimin e saj eurointegrues

Nga Emin AZEMI

Afera ‘Haraçi’ është produkt i një konspiracioni, apo parashenjë e një sistemi të ndërtuar keq, i cili duhet prishur që nga fillimi? Mund të ketë diçka të vërtetë në këto dilema, por ajo çka është më e rëndësishme tani për tani ka të bëjë me aftësinë e menaxhimit të situatës komplekse në këto momente turbulente. Një shtet është stabil, jo vetëm për moscënimin e kufijve fizikë nga jashtë, por edhe për efikasitetin e institucioneve, sidomos kur jostabiliteti ka karakter politik e ngapak edhe subversiv.

Zaevi humbi një kohë të gjatë me politikat e jashtme të vendit dhe me joshjen e shqiptarëve me karamele, ndërkohë që bashkëpunëtorët e tij por edhe vet ai, nuk u morën fare me të ashtuquajturin proces të degruevizmit të shtetit. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ndodhi edhe një pakt paradoksal me disa ish eksponent të gruevizmit, që u kuptua si shpëtim i proceseve eurointegruese përmes votës së kontrabanduar. Pra, Zaevi, në vend se ta penalizonte politikën e regjimit të kaluar, dhe të filloj kthimin e parave të grabitura, siç pat trumbetuar nëpër fushatat e tij opozitare, ai përkundrazi e amnistoi një pjesë të kësaj politike, përfshi edhe ish liderin Gruevski, ndaj të cilit u tregua një zemërgjerësi e pashpjegueshme nga ana e gjyqësorit me akuzat qesharake për ‘mercedesat’ e shtrenjtë(!). Kjo ta kujton maskaradën e pseudproceseve të fillim viteve nëntëdhjetë në Shqipëri kundër Nexhmije Hoxhës e cila ngarkohej me mëkate për ‘jonikoqirllëk’ në harxhimin e kafesë dhe të kikirikëve(!).
Aksioni tepër kurajoz i Zaevit për të udhëhequr luftën politike kundër Gruevskit dhe rikthimin e LSDMsë- në pushtet, u devalvua përmes kompromiseve të mëvonshme të tij dhe kjo krijoi terren të volitshëm për të gjitha ato forca antireformuese të cilat pakënaqësitë e tyre i paketuan në mllef dhe hakmarrje ndaj metodave të përgjimeve që i përdori Zaevi për ardhje në pushtet.

Edhe xhirimet fundit që po publikohen në një portal italian, fitilin e zemërimit e kanë në pallatin e bardhë me skenarë të zinj të VMRO-DPMNE-së. Butësia e Zevit për të mos vepruar më guximshëm në zbatimin e platformës që ai e kishte propaguar gjatë fushatës parazgjedhore, tash po kthehet në bumerang dhe çdo lëvizje e tij në drejtim të gjetjes së kompromiseve të reja, do të jetë fatale për ardhmërinë e tij politike.

Të gënjesh veten se e ke në duar një pjesë të sistemit të drejtësisë dhe të pretendosh se kompromisi me eksponentët e krimit është rruga më e mirë dhe më e shkurtër për të arritur në destinacionin e nevojshëm, janë vetëm disa nga mungesat fundamentale në ditarin e nxënësit të dobët të quajtur Zoran Zaev. Ky i fundit do të mbahet mend për betejat e pakompromis politike kundër ish regjimit dhe për mbylljen e kontesteve me fqinjët, sidomos me Greqinë dhe Bullgarinë, por në anën tjetër do të mbahet mend edhe si një vrapues hileqar që arritjen në finale e kalon duke flirtuar me garues problematikë të cilët ka qenë dashur të diskualifikohen që në start. Prandaj jo rastësisht për çdo ditë po paraqiten minues të kësaj maratone që Zaevi duhej ta bënte, për të kurorëzuar gjithë angazhimin e tij politik me futjen e vendit në NATO dhe marrjen e datës së negociatave me BE-në.

Askush nuk e kishte menduar se pas tejkalimit të kontestit me Greqinë, Maqedonia e Veriut do të ketë edhe sfida të tjera që do ta vështirësonin rrugëtimin e saj eurointegrues. Por, një e vërtetë mbeti konstante: mania e politikës për të ndërtuar një shtet mbi kompromise të këqija. Po del që kjo mani të jetë më gjeneroze në prodhimin e efekteve të brendshme destabilizuese, se sa çfarëdo qoftë kërcënim nga jashtë.
Pakti me djajtë e pazareve gri, e lë shtetin në duar të pasigurta, kurse ata që mundohen të fshihen pas qëllimeve sublime, shpesh herë bëhen bashkëfajtor në dështimin e proceseve. (koha.mk)

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.