Osmani – Varheji: Pako financiare nga KE për rajonin prej 1 miliardë eurosh për krizën energjetike

Shkup, 21 Tetor – Raporti i ri i Komisionit Evropian, skriningu, obligimet të cilat na presin deri në hapjen e klasterit fundamental dhe përballja me krizën energjetike, kanë qenë tema të takimit të sotëm të shefit të diplomacisë, Bujar Osmani me komisarin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varheji në Berlin në margjinat e takimnit të ministrave të Punëve të Jashtme në kuadër të Procesit të Berlinit.

Siç kumtoi MPJ, në takim ministri Osmani e përshëndeti  Raportin e publikuar të KE-së së fundmi për Maqedoninë e Veriut, i cili e njeh progresin përgjithësisht të mirë reformues të vendit, veçanërisht në fushat e përfshira me klasterin fundamental dhe në kapitullin për politikën e jashtme, të mbrojtjes dhe sigurisë, ku u vlerësuam me notën më të lartë “Progres shumë i mirë”, duke pasur parasysh para së gjithash, respektimin 100 përqind të qëndrimeve të politikës së jashtme të BE-së.

“Ministri e informoi Komisionerin evropian për procesin e skriningut, si fazë e parë dhe veçanërisht e rëndësishme në procesin e negociatave me BE-në, si dhe për përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për ta rrumbullakuar atë në kohë, në nëntor të vitit të ardhshëm, duke u fokusuar mbi detyrimet e brendshme që na presin deri në hapjen e klasterit themelor”, thuhet në kumtesë.

Osmani, shtohet, shprehu mirënjohjen e tij për punën e Komisionit Evropian në lidhje me planin për ballafaqimin me krizën energjetike për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me të cilin pritet të propozohen fonde financiare për adresimin e nevojave urgjente, afatshkurtra dhe afatmesme në rajonin tonë. Në këtë kontekst, Varheji paralajmëroi pako financiare për rajonin, në vlerë prej 1 miliard euro, për zbutjen e efekteve të krizës energjetike.