Osmani – Varheji: janë të nevojshme vendime të guximshme

Shkup, 27 prill – Dosja evropiane e vendit tonë, në prag të Këshillave të qershorit dhe pritshmëritë për hap të domosdoshëm në drejtim të fillimit të negociatave të anëtarësimit, veçanërisht në këtë kohë, ishin në fokusin e bisedimeve të ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani me eurokomisarin për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varheji, i cili sot po qëndron për vizitë pune në Shkup.

Siç bëri të ditur MPJ, bashkëbiseduesit u dakorduan se rrethanat e reja gjeopolitike kërkojnë konfirmim të politikës së zgjerimit si investim gjeostrategjik në paqe, stabilitet, siguri dhe mirëqenie ekonomike të të gjithë kontinentit evropian.

“Maqedonia e Veriut deri më tani ka dëshmuar përkushtim jashtëzakonisht të lartë për progresin e vendit të rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian. Përveç kësaj, arritëm 100% nivel të harmonizimit të shtetit me Politikën e Përbashkët dhe të Sigurisë së Unionit. Është koha që edhe Bashkimi Evropian t’ia zgjat dorën vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të demonstrojë qartë se e ardhmja e rajonit është evropiane. Rajoni është gjithnjë e më shumë i lodhur nga pritja, gjë që dëmton kredibilitetin e Bashkimit Evropian” theksoi Osmani.

Në takim u bë fjalë edhe për përpjekjet për tejkalimin e dallimeve ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, si prioritet për të zhbllokuar rrugën tonë drejt BE-së, qëndron në kumtesën e MPJ-së. /Zhurnal.mk