Osmani: OSBE duhet të japë rezultate në kohë të vështira, Ukraina mbetet prioriteti ynë kryesor
Shkup, 12 janar – Agresioni ushtarak kundër Ukrainës vazhdon të tregojë fytyrën e tij të shëmtuar. Paqja është prishur. Njerëzit vazhdojnë të vdesin dhe të vuajnë. Besimi ynë i ndërsjellë është minuar thellësisht. Megjithatë, kam besim se shpresat tona për një të ardhme më të mirë për Organizatën tonë, vendet që përfaqësojmë dhe njerëzit të cilëve u shërbejmë mbeten të larta. Bëhet fjalë për ta, është për njerëzit. Kjo është motoja jonë dhe forca që na udhëheq për vitin në vazhdim.
Këtë e theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cilit sot para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së e prezantoi programin e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me organizatën më të madhe rajonale të sigurisë në botë. Duke përgëzuar kryesimin polak vitin e kaluar, ai theksoi se OSBE duhet të japë rezultate në kohë të vështira dhe ka detyrimin dhe kapacitetin për të mbrojtur interesat e njerëzve. Por pyetja që lind, thotë ai, është “a kemi një vullnet politik të fortë dhe të qartë për të kapërcyer sfidat për hir të paqes, stabilitetit dhe mirëqenies?”.
“Përgjigja për këtë pyetje duhet të vijë bashkërisht nga të 57 vendet pjesëmarrëse dhe nuk mund të jepet nga asnjë vend pjesëmarrës i vetëm gjatë mandatit të tij në krye të kësaj organizate. Plani ynë në vitin 2023 është të ringjallim këtë frymë. Përkundër të gjitha vështirësive, Organizata jonë dëshmoi potencialin e saj. Ne duhet t’i japim mbështetje shtesë OSBE-së për t’iu përgjigjur detyrës së saj. Kjo nënkupton miratimin e shpejtë të buxhetit të vetëm të organizatës. Parimet dhe zotimet nuk duhet të mbesin thjesht gërmadha”, theksoi Osmani.
“Në prag të 50-vjetorit të miratimit të Dokumentit të Helsinkit, historia do të na kujtojë për veprat tona, jo për premtimet, mendimet dhe deklaratat tona. Fjalët duhet t’i kthejmë në vepra, nëse duam të sigurojmë funksionalitetin e OSBE-së”, ka theksuar Osmani.
“Ukraina do të mbetet prioriteti ynë kryesor. Agresioni duhet të ndalet! Shkatërrimi dhe vrasja e popullatës civile është e papranueshme. Është shqetësuese të shohësh njerëzit teksa vuajnë. Pasojat dhe kostoja e kësaj lufte për rajonin e OSBE-së dhe më gjerë janë të mjerueshme dhe të padurueshme”, tha Osmani.
Ai theksoi se ekzistojnë edhe dhe zona të tjera të krizës në rajonin e OSBE-së, ndërsa jostabiliteti rajonal dhe potenciali për konflikte të reja do të kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Ai tha se funksionet dhe aktivitetet thelbësore të Organizatës duhet të ruhen, duke pasur parasysh se ajo është në gjendje të ofrojë mbështetje për rajonet e ndjeshme dhe të mbetet fleksibil në trajtimin e sfidave.
Programi i kryesimit për vitin e ardhshëm, tha Osmani do të fokusohet në ofrimin e mbështetjes për një OSBE funksionale dhe fleksibile, duke ofruar një grup të larmishëm mjetesh që do të ndihmonin në rivendosjen e paqes dhe sigurisë, parandalimin e konflikteve dhe promovimin e bashkëpunimit në të gjithë rajonin e OSBE-së, si dhe promovimin e sigurisë njerëzore, duke ofruar mbështetje për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe bashkëpunim mjedisor.
“OSBE-ja ka dëshmuar rezultate nga aktivitetet e saj në rajone të ndryshme. Këtu e kam fjalën për përvojën e vendit tonë. Si vend nikoqir i një misioni në terren të OSBE-së, vendi ynë mund të dëshmojë për përfitimet e pranisë në terren të OSBE-së. Jam i sigurt se vendet tjera poashtu nikoqire të misioneve në terren të OSBE-së e ndajnë të njëjtin mendim. Prandaj, nuk duhet të jetë e vështirë të kuptohet se prioritet i kryesimit tonë me organizatën është fokusimi tek njerëzit”, theksoi Osmani.
Maqedonia e Veriut, tha Osmani, do të forcojë punën e OSBE-së në terren, do të bëjë përpjekje për përmirësimin e koordinimit dhe udhëheqjes së përbashkët të aktiviteteve si parakusht për ndryshime pozitive.
“Sot më shumë se kurrë ka nevojë për Organizatën tonë. Unë mbështes pikëpamjet që ju shprehët në Loxh dhe bashkohem me thirrjet tuaja për të mbështetur OSBE-në dhe vlerat e Organizatës. Një inkurajim i tillë do të na ndihmojë të udhëheqim këtë organizatë gjatë vitit të ardhshëm. Në këtë rrugë, ne llogarisim në mbështetjen e shteteve pjesëmarrëse dhe strukturës më të gjerë të OSBE-së, e cila përfshin Sekretariatin e OSBE-së, misionet në terren të OSBE-së, institucionet e pavarura, Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe përfaqësues të posaçëm që punojnë për çështje të rëndësishme”, theksoi kreu i diplomacisë.
Në fjalimin e tij, Osmani e informoi Këshillin e Përhershëm për planin për prezantimin e pozitës së Përfaqësuesit Special të Kryesuesit për shoqëri civile, si dëshmi e përkushtimit për t’iu përgjigjur nevojave të njerëzve, duke theksuar se nuk ka demokraci të shëndoshë pa një shoqëri civile të zëshme, të gjallë. Njëkohësisht, informoi për synimin për ta ftuar Finlandën për për t’iu bashkuar formatit të Trojkës së OSBE-së derisa të gjendet një zgjidhje për kryesimin e ardhshëm të OSBE-së në vitin 2024.
“Maqedonia e Veriut është e gatshme të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë, duke pasur parasysh se është privilegj për vendin tonë ta kryesojë këtë Organizatë. Këtë herë, sukseset dhe dështimet tona do të jenë edhe tuajat. Kohët e vështira në të cilat jetojmë kërkojnë mençuri, përgjegjësi për veprimet tona dhe përkushtim ndaj parimeve të Dokumentit Përfundimtar të Helsinkit. Ata janë feneri ynë i shpresës, por edhe një zjarr sinjalizues se këto parime nuk janë të negociueshme. Ata do të jenë Kodi ynë i Vlerave dhe Sjelljes. Më në fund do ta përfundoj deklaratën time siç edhe e fillova, ndërsa kjo është edhe me një thënie të Nënë Terezës: “Kemi frikë nga e ardhmja sepse po e humbim të sotmen”. Nuk duhet t’i frikësohemi të ardhmes, por se duhet të shfrytëzohet e sotmja duke punuar për një të nesërme më të mirë, për të ardhmen e OSBE-së dhe të ardhmen e njerëzve”, porositi në fjalimin e tij shefi i diplomacisë Osmani.