Osmani në Berlin në takim me ministrin britanik për Evropë Leo Doerti
Berlin, 21 tetor – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot në Berlin, në margjinat e takimit të ministrave të punëve të jashtme, në kuadër të Procesit të Berlinit, realizoi takim bilateral me ministrin shtetëror për Evropën në Ministrinë britanike të Punëve të Jashtme.
U përshëndet fuqishëm bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, që është partneri ynë i dytë më i madh tregtar dhe një nga investitorët më të mëdhenj të huaj në vendin tonë, veçanërisht të intensifikuara me nënshkrimin e Marrëveshjes bilaterale për Tregti, Partneritet dhe Bashkëpunim.
Osmani e njoftoi bashkëbiseduesin për negociatat e filluara me Bashkimin Evropian si dhe hapat e ardhshëm, duke e vënë theksin në gatishmërinë e lartë të vendit për proces të suksesshëm dhe të shpejtë negocioues.
Ministrat shprehën kënaqësi për hapin historik me të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut i filloi negociatat, duke shpresuar për negociata të suksesshme me qëllim të anëtarësimit të plotë në Union.
“Osmani dhe Duerti diskutuan edhe për rolin edhe për rëndësinë e Komunitetit të ri Politik Evropian, i cili përfaqëson një përgjigje të mirë ndaj kërcënimit gjeopolitik të agresionit rus ndaj Ukrainës. Duke shprehur kënaqësi për takimin e parë të mbajtur në Pragë, ministrat u dakorduan se komuniteti i ri politik nuk është zëvendësim i politikave të BE-së, duke e përfshirë edhe procesin e zgjerimit, i cili nuk është i rrezikuar”.
Të dy bashkëbiseduesit iu referuan edhe situatës aktuale politike në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rolit të Mbretërisë së Bashkuar në këtë kontekst. Osmani informoi edhe për rolin më të thellë të vendit në politikat rajonale, si dhe për përgatitjet për kryesimin e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023.