Osmani: Marrëveshja e Ohrit është më e suksesshmja e ndërmjetësuar ndonjëherë
Shkup, 11 gusht – Marrëveshja e Ohrit është marrëveshja më e suksesshme e ndërmjetësuar ndërkombëtarisht në hapësirat e ish-Jugosllavisë, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në konferencën e sotme për shtyp duke iu përgjigjur pyetjes të gazetarëve.
“Nëse i krahasojmë të gjitha marrëveshjet paqësore në rajon në 20, 30 vitet e fundit, marrëveshja e vetme e cila u realizua në tërësi, në pjesën e vet të legjislativit, gjegjësisht në pjesën normative, në pjesën e ligjeve të cilat dalin nga vetë marrëveshja. Kjo marrëveshje qartë është më e suksesshmja dhe kjo dëshmohet në jetën e përditshme. Përmes transformimit të këtij shteti nga një shtet në të cilin korniza ishte vendosur që të pranojë një bashkësi etnike në këtë demokraci multietnike funksionale në të cilën jetojmë tani, që po bëhet shembull se si të zgjidhen çështjet e ngjashme, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë”, theksoi Osmani.
Shtoi se është krenar që ka qenë pjesë e një organizimi, që ka marrë pjesë në krijimin e implementimit të marrëveshjes. Sipas tij, fryma që e imponoi Marrëveshja e Ohrit asnjëherë nuk do të ndalojë.
“Atë që e kërkon Marrëveshja e Ohrit, ndërsa ajo është që shteti të mundësojë përfshirjen dhe mundësi që të gjithë qytetarët të punojnë dhe të jetojnë në të, kjo nuk do të ndalojë asnjëherë. Derisa të ekzistojë ky shtet, do të ekzistojë edhe fryma e Marrëveshjes së Ohrit”, tha Osmani. Theksoi se ligjet të cilat duhej të silleshin, u sollën në këtë periudhë, bashkë me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
I pyetur për personat e shpërngulur brenda vendit nga konflikti i vitit 2001 dhe statusin e tyre, Osmani deklaroi se ka shumë çështje sociale të cilave, siç tha, iu ekspozuan qytetarët, e cilësdo bashkësie etnike, pavarësisht se në çfarë pozite ishin gjatë konfliktit.
Komponent i rëndësishëm i Marrëveshjes së Ohrit ishte integrimi i tyre social, risocializimi dhe përmirësimi i kushteve të tyre për jetesë. Kjo çështje është shumë e rëndësishme dhe deri më tani është bërë shumë, por ngelet të bëhet akoma më shumë”, vlerëson Osmani.
I pyetur për shënimin e 20-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Osmani tha se nëse autoritetet shëndetësore vlerësojnë se në një periudhë të caktuar mund të mbahen tubime, kjo mund të bëhet, duke i respektuar të gjitha protokollet. Nëse Komisioni për Sëmundje Infektuese, nga ana tjetër, vlerëson se duhet të parandalohet mbajtja e tubimeve, kjo duhet të respektohet. Sipas tij, politikanët dhe partitë politike nuk duhet të veprojnë më ndryshe dhe të gjithë duhet të jemi më të kujdesshëm.