OSMANI: Dëshirojmë ta riafirmojmë përkrahjen sllovene për finalizimin e kornizës negocuese

/

Fillon vizita zyrtare në Slloveni. Në takimin me kolegun Logar, presidentin Pahor dhe kryetarin e Parlamentit, Igor Zorçiç dëshirojmë ta riafirmojmë përkrahjen e Sllovenisë për finalizimin e kornizës negocuese dhe mbajtjen e Konferencës ndërkombëtare deri në fund të vitit. Me këtë do t’i fillonim negociatat edhe formalisht gjatë presidencës gjermane, thotë në video deklaratën në profilin e tij në Fejsbuk, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Osmani sot qëndron për vizitë zyrtare në Slloveni, ku do të realizojë takim me ministrin e Punëve të Jashtme, Anzhe Logar. presidentin e shtetit Borut Pahor dhe me kryetarin e Parlamentit slloven, Igor Zorçiç.

Shefi i diplomacisë nesër do të udhëtojë për vizitë pune në Republikën e Kroacisë, ku krahas takimit me homologun, ministrin e Punëve të Jashtme, Goran Gërliq-Radman, do të realizojë takim edhe me kryeministrin Andrej Plenkoviq, si dhe disa takime në Parlamentin e Kroacisë.

Vizita e shefit të diplomacisë në vendet e rajonit ndodhë në prag të vendimeve të rëndësishme për perspektivën evropiane të vendit, në pritje të miratimit të kornizës negociuese dhe mbajtjes së Konferencës së parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian. Nga MPJ-ja shtojnë se fokusi i takimeve pritet të jetë integrimi evropian i Republikës së Maqedonisë së Veriut, progresi i arritur i reformave dhe mirëmbajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke riafirmuar pritjet për mbështetje nga miqtë tanë për fillimin e negociatave brenda Presidencës gjermane me BE-në, deri në fund të vitit.

Në bisedime pritet të hapen edhe tema të bashkëpunimit bilateral, veçanërisht potencialet për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe ballafaqimi i përbashkët rajonal me sfidat e pandemisë KOVID 19.