Osmani-Berbok: Gjermania është partneri ynë më i rëndësishëm në kuptimin politik dhe ekonomik

Shkup, 21 tetor – Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot, në Berlin, realizoi takim me Ministren Federale të Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Analena Berbok.

Siç njofton MPJ-ja, në takim, të dy homologët shprehën kënaqësi për nivelin e lartë të dialogut politik dhe partneritetit që Maqedonia e Veriut dhe Gjermania i kanë krijuar gjatë këtyre 30 viteve marrëdhënie diplomatike. Bashkëpunimin dhe partneritetin mes dy vendeve i karakterizon mbështetja dhe bashkëpunimi tre dekadësh midis dy shteteve dhe popujve tanë.

“Jashtëzakonisht e vlerësojmë faktin që Gjermania është partneri ynë më i rëndësishëm në kuptimin politik dhe ekonomik, e veçanërisht kur bëhet fjalë për integrimin tonë politik në organizatat evropiane dhe euroatlantike. Maqedonia e Veriut mbetet partner kredibil në rajon si në aspekt të pranisë së NATO-s në Ballkan, si vend anëtarë edhe ashtu edhe në aspekt të mbrojtësit dhe promovuesit të kredibilietit evropian në rajon”, theksoi Osmani.

Ministri Osmani shprehu mirënjohje për interesimin e madh të Gjermanisë dhe Kancelarit, Scholz që ta revitalizojë e Procesit të Berlinit, si një mjet i rëndësishëm që i mbështet proceset euro integruese të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim të anëtarësimit sa më të shpejtë të tyre në Union, por edhe për adersimin e përbashkët të sfidave aktuale me të cilat përballet kontinenti evropian.

Ministrja Berbok konfirmoi se mbështetja e Gjermanisë për dosjen evropiane të Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë edhe në të ardhmen me një ritëm të pandërprerë, duke shprehur kënaqësi për hapin historik, të cilin e ka arritur Maqedonia e Veriut me fillimin e negociatave për anëtarësim këtë vit.

Çështjet e sigurisë, invazioni rus ndaj Ukrainës dhe pasojat me të cilat vendet evropiane ballafaqohen, gjithashtu ishin temë e bisedimeve ndërmjet dy ministrave, të cilët e theksuan rëndësinë e NATO-s për ruajtjen e sigurisë evropiane dhe botërore. Në këtë kontekst, Ministrja Baerbock shprehu mirënjohje, duke theksuar rolin e Maqedonisë së Veriut si një partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm i Bashkimit Evropian në përgjigje të krizës dhe respektimit 100% të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

Në takim u diskutua edhe për kryesimin e ardhshëm të vendit tonë me OSBE-në në vitin 2023 dhe mundësitë për bashkëpunim të ardhshëm në këtë kontekst.