Nxënësit e këtyre klasave do të favorizohen që mësimin ta zhvillojnë në shkollë

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se janë dakorduar me institucionet vendore që nxënësit e klasës së parë të kenë prioritet në shfrytëzimin e bankave shkollore pasi që sipas tij ata kanë nevojë të familjarizohen edhe me mësimdhënësit.

Ai ka deklaruar se edhe nxënësit e klasës së dytë, gjashtë dhe dhjetë duhet të kenë një favorizim në zhvillimin e mësimit në shkollë.

“Edhe nxënësit e klasës së dytë duhet të jenë të favorizuar në këtë drejtim pasi gjysmëvjetorin e dytë ata nuk kanë pasur mundësi t’i ndjekin mësimet në shkolla. Edhe nxënësit e klasave të gjashtë do të kenë përparësi për shfrytëzimin e bankave shkollore, pasi kanë kaluar nga sistemi me një mësimdhënës në atë me shumë mësimdhënës. Edhe nxënësit e klasës së dhjetë do të kenë të njëjtën përparësi pasi kalojnë nga shkolla fillore në atë të mesme”, ka thënë Sazan Ibrahimi për RTV Dukagjini.