Numërimi elektronik në Njësinë Nr. 10 në Tiranë, rezultati do të dalë para orës 08:00 të 26 prillit

Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet parlamentare, Komisioni Rregullator gjatë një mbledhje të zhvilluar pasditen e sotme, ka miratuar unanimisht fashën e orarit kur do të publikohet rezultati i dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit për njësinë Nr.10 në Tiranë, ku kryhet edhe votimi elektronik.

Gazetarja e ABC, raporton se me votë, u vendos që në njësinë nr.10, duhet të nxirret rezultatin para orës 08:00 të mëngjesit të 26 prillit.

Kujtojmë se sipas marrëveshjes së arritur nga palët politike në Njësinë Nr. 10 në kryeqytet do të aplikohet si identifikimi elektronik, ashtu edhe votimi e numërimi elektronik, ku votuesi paraqitet vetëm me mjetin e identifikimit biometrik.

Edhe më herët, gjatë testimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u vu re se teknologjia shkurton si kohën e votimit, ashtu edhe atë të numërimit, madje brenda 30 minutash. Ndërkohë që rezultati i përgjithshëm i zgjedhjeve në këtë njësi mund të mësohet brenda 10 minutash, por në mënyrë që të mos ndikohet në procesin total të numërimit të votave, Komisioni rregullator ka vendosur orën 08:00 të 26 prillit për të publikuar rezultatin e votimit në këtë njësi.