Nuhiu u takua me shefin e Zyrës programore të UNODC, Ud

Shkup, 10 gusht 2020 (MEDIAL) – Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu sot mbajti takim pune me shefin e Zyrës së programeve pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara – UNODC në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Bill Ud.

Në takim, bënë të ditur nga MPB-ja, ishin shkëmbyer informacione dhe pikëpamje në pjesën e punës së përditshme, duke folur për sfidat aktuale në punë.

Nuhiu dhe Ud kanë shfaqur kënaqësi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe lartë e kanë vlerësuar përkushtimin në përmbushjen e qëllimeve të përbashkëta, duke shprehur përcaktimin e fuqishëm për avancimin e mëtutjeshëm.

“Fokusi kryesor në takimin e punës ishte drejtuar kah aktivitetet e ardhshme të planifikuara në luftën kundër krimit, veçanërisht në drejtim të prezantimit të propozim projekteve të UNODC: AIRCOP (vendosje e komunikimit mes aeroporteve ndërkombëtare në kohë reale) dhe SSR (Përmirësim i menaxhimit me rreziqe, zinxhirin e furnizimeve, lehtësime të tregtisë në vendkalimet kufitare, me qëllim, parandalimin e lëvizjes së mallrave ilegale)”, bëhet e ditur në kumtesën e MPB-së.

Sa i përket projekteve të propozuara, ministri Nuhiu ka dhënë mbështetje të parezervë, duke treguar nevojën për konsultime të mëtutjeshme dhe koordinim me shërbimet kompetente.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu dhe shefi i Zyrës së programeve të Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Bill Ud e kanë potencuar qëndrimin se mbeten të hapur për mbështetje dhe bashkëpunim të mëtutjeshëm, në favor të qëllimeve dhe prioriteteve të përbashkëta: zbulim, parandalim dhe çrrënjosje të të gjitha llojeve të krimit. fc/