Një vit nga shpërthimi vdekjeprurës në Bejrut
Emmanuelle Khnaisser ka qenë në sallë të lindjes gjithë ditën më 4 gusht 2020.
Pesë kate më poshtë, Jessica Bezdjian ka qenë duke hyrë në Spitalin Shën Xhorxh në Bejrut. Ajo ka arritur një orë më herët për ndërrimin e saj 12-orësh në Departamentin e Psikiatrisë.
Papritur, gjithçka ka shpërthyer.
Në secilën dhomë dritaret janë thyer. Dyert janë flakur tutje, tavanet kanë rënë dhe pajisjet janë rrëzuar. Një valë pluhuri ka mbuluar dhomat dhe korridoret. Në errësirë dhe kaos është dëgjuar zhurma e pacientëve, mjekëve dhe infermierëve të përgjakur.
Një prej qendrave mjekësore më prestigjioze dhe më të vjetra në Bejrut, Shën Xhorxh gjendet afër bregut të Mesdheut, rreth 900 metra nga porti i Bejrutit. Më 4 gusht të vitit 2020, qindra tonë të nitrat të amonit, jo të ruajtura si duhet, kanë shpërthyer duke shënuar një nga incidentet më të mëdha jobërthamore në histori.
Shpërthimi i orëve të pasdites ka shkatërruar lagje të tëra, ka lënë të vdekur të paktën 214 persona, duke përfshirë 22 në Spitalin Shën Xhorxh.
Një vit më vonë, secili moment i asaj dite mbetet në mendjet e atyre që e kanë përjetuar atë moment. Shumë persona kanë ende trauma psikologjike.
Disa ende vuajnë për humbjet e më të dashurve të tyre, të tjerë tentojnë të kuptojnë se çfarë do të thotë të mbijetosh.
“Ka qenë momenti më i lumtur në jetën time dhe më i keqi në të njëjtën kohë”, ka thënë Edmond Khnaisser, burri i Emmanuelle, për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Lindje dy javë para kohe
Emmanuelle është shtrirë në spital për të lindur dy javë para kohe. Ajo dhe burri i saj janë ngutur për të shkuar në spital në mëngjesin e 4 gushtit, dhe ajo ka zënë një dhomë në katin e pestë të spitalit.
Së bashku kanë pritur të birin e tyre George, emër që ia kanë lënë para se foshnja të vinte në jetë.
Në periferi të Bejrutit, gjatë pasdites, Chouchan Yeghiyan e ka zgjuar nga gjumi vajzën e saj Jessica për t’u bërë gati. Ajo zakonisht ka fjetur pjesën më të madhe të ditës, meqë ka qenë duke punuar në ndërrim të natës në spital. Ajo e ka dashur shumë punën e saj dhe ka qenë duke ruajtur para për të kryer studimet në nivelin master.
Ajo ka ngrënë dhe është pastruar. Kur motra e saj e vogël, Rosaline ka arritur në shtëpi, Jessica ka marrë makinën dhe është nisur.
“Do të doja të mos e kisha zgjuar atë ditë”, ka thënë nëna e saj me lot në sy.
Gjak dhe kaos
Emmanuelle ndërkohë ka nisur procesin e lindjes në orën 5:45 të pasdites së 4 gushtit. Kur burri i saj ka kërkuar të ketë qasje në sallë, ka shpërthyer gjithçka.
Tavanet dhe dritaret kanë rënë mbi Emmanuelle, ndërsa xhami e ka mbuluar në pjesën e poshtme të trupit. Një mjek ka rënë nën krevat dhe një tjetër është goditur nga rrënojat.
Uniformat e tyre bardhë e blu janë mbushur me gjak. Makina që regjistronte rrahjet e zemrës së foshnjës është thyer.
“Kam qenë e shokuar. Nuk e kishim idenë se çfarë po ndodhte”, ka thënë Emmanuelle.
Disa incizime të realizuara me telefon të Edmondit kanë dokumentuar panikun. Në një material ai dëgjohet duke bërtitur, “Ku është gruaja ime? Qëndroni në vend. O Shën Maria”.
Ndonëse ishte i gjakosur edhe vetë, Edmondi ka nisur të heqë copat e xhamit nga trupi i gruas së tij.
Lindja nuk ishte realizuar dhe procesi duhej të niste nga fillimi. Mjekët më pas e kanë bartur nënën në një korridor për emergjenca, ku ka pasur më pak dëm.
Ajo ka qenë tejet e shqetësuar dhe nuk e ka ditur nëse foshnja ka qenë gjallë. Një mjek i ka vënë një monitor në stomak dhe për pak momente ata kanë dëgjuar të rrahurat e zemrës.
“E kam ndjerë se kam arsye për të jetuar. Kam thënë se duhet të bëjë gjithçka që mundem sepse kam përgjegjësi të madhe që George të bëhet pjesë e kësaj jete”, kujton Emmanuelle.
Ajo ka menduar për prindërit e saj, për prindërit e burrit të saj, ka mbledhur gjithë fuqinë dhe ka hequr gjithë energjinë negative për t’u koncentruar.
Teksa ajo ka qenë duke lindur, në afërsi të saj ka dëgjuar njerëz duke bërtitur dhe sirena të ambulancës duke u aktivizuar. Njerëzit kanë vrapuar përreth saj, në kërkim të familjarëve të tyre.
Teksa mbrëmja është afruar, mjekët kanë vazhduar lindjen me drita të telefonave të tyre.