Një shkollë për t’u çmësuar!

1. Kur Presidenti Donald Trump e ka pa Avdullah Hotin në fotografi, i kish thënë Grenellit: ‘atje edhe meshkujt po i fryjshin buztë’.

2. E Hashim Thaçi i ka bë gati koferat, deli-a i kish zbardh edhe dhëmbët m’i kombinu me Shtëpinë e Bardhë.
Është shumë i lumtur dhe lumturia e tij është shumë e rëndësishme për Kosovën.

Në kohë pandemie në Washington e ndan me Serbinë Trepçën, Ujmanin dhe pasuritë e tjera.
Pra nuk e ndan Kosovën, por pasuritë e Kosovës.

Grenelli ka treguar se në Washington do të bëhet fjalë për pasuri të prekshme, për ekonomi, e jo për politikë e për pasuri shpirtërore.

Donald Trump do ta ‘shiste’ marrëveshjen e paqes ekonomike mes Kosovës e Serbisë si suksesin e tij më të madh.
Në kohën kur akuzohet për racizëm, ia del t’i ‘pajtojë’ dy shtete të pavarura që nuk janë në luftë në mes vete. Sukses i madh kur shteti i pavarur i Kosovës varet nga disponimi i Donald Trump, i njohur për ndryshime të mëdha të disponimit.

Donaldi i Madh po ka nevojë urgjente dhe të papërshkrueshms për Hashim Thaçin. Kjo
është kaq patetike, por bën n’paç çka me ba.

E vet fakti se presidentit Thaçi po i bjen n’mend m’u picillu, tregon se është puna ‘mirë’.

Entuziazmi i madh Presidentit tonë për takimin në Washington, tregon se marrëveshja me Serbinë i pëlqen shumë, anipse ‘nuk e ka parë’.

Ne shqiptarët jemi mësu me na pëlqy shkrimet pa i lexu, për shembull Kadareja ‘u pëlqen’ gati krejtve, sidomos atyre shqiptarëve që nuk e kanë e lexu, e që janë shumica, pra janë do gjana që të pëlqejnë me t’nime, sepse i kanë pëlqy njanit që e ka lexu për neve krejt.

3. Kosova është sot në sanduiq midis Amerikës dhe Evropës.
Ata (superfuqitë) po shtyhen mes vete se kush vendos për Kosovën ‘e varfër’, e ne po ndjehemi të llastuar, sa shumë po na duan.

Si duket ne s’jemi të varfër, dhe krejt e dinë, përveç neve, se përndryshe si u bëmë ne kaq tipa interesant dhe atraktiv për krejt botën.

Ne kemi kujtuar se jemi shtet i pavarur.
Pak e dimë që në bisedime nuk po vendoset për të ardhmen e Serbisë, por po kërkohet që Serbia të vendos për të ardhmen e Kosovës, ama kemi kujtuar se nuk e lejojnë këtë maskarallak komandantët.

Tash si duket e ka rendin Kosova t’ia kthej borxhin komandantëve, të cilët kanë sakrifikuar për Kosovën. Kosova tash do të jep krejt çka ka nga vetvetja për t’i çliruar çliruesit e saj.

E BE-ja s’është e zonja të vendos për vizat e shqiptarëve, lëre më për fatin e Kosovës.

Sepse, në start për BE-së jemi të pabarabartë me serbët.
Serbët për BE-në janë qytetarë të rendit të parë (me viza), shqiptarët qytetarë të rendit të dytë, ose hiç qytetarë.

Viola që ish sikur ato çakallat e mullinit, fjalëshumë, për izolimin e shqiptarëve ia lë fajin Francës, Franca ia gjuan fajin Gjermanisë, për të cilën jemi shumë simpatikë, ama (njëherë përnjëherë) vetëm si refugjatë.

Merkel na do shumë, si ata dashnorët që aq shumë të duan, sa nuk të lënë të Lirë. Më e mirë është Liria se Dashuria, ama këtë e kupton tek pas braktisjes, e kështu më mirë mos e provoni këtë eksperiment ‘në kushte të shtëpisë’.

Pra, përparësia që i jep BE -Serbisë në bisedime me Kosovën nis nga liberalizimi i vizave.

4. Prandaj, Grenelli me lehtësi ia zbulon BE-së standardet e dyfishta që ka për shqiptarët dhe për serbët. Mirë ia bën.

Sipas BE-së, shteti që shkaktoi luftëra, gjak deri në gju, që masakroi fëmijë e përdhunoi mijëra veta, shteti që dogji qindra mijëra shtëpi, shkolla, shtëpi të Zotit, që shkaktoi gjenocid ndaj shqiptarëve, boshnjakëve e kroatëve (që edhe sot e ka në krye zëdhënësin e kryekriminelit Slobodan Milosheviq), e që nuk ka shprehur keqardhje së paku për krime ndaj fëmijëve shqiptarë, qenka më ‘demokratik’ sesa shteti i Kosovës që e ‘krijoi’ vetë Evropa dhe Amerika.

Nëse veç ne s’e meritojmë lëvizjen e lirë, kush ka faj?
Politikanët e korruptuar pa të cilët ‘të huajt’ nuk marrin frymë, e me të cilët gjithë ditën duhen!

Ky është ai absurdi që nuk e ha Grenelli.

Presidenti Hashim Thaçi është ‘gjarpër’, por Grenelli e ka shikimin e gjarpnit.
Shikoja shikimin Grenellit. Afër atij shikimi zhbirues dhe kërcënues, preferohet të qëndrosh në prezencën e psikologut apo të ndonjë guruje.

Hashim Thaçi ka qejf me qenë gjarpër, por shikimin e ka të ‘dhelprës’. E në natyrë, dhelpra e ha gjarprin.

5. Vjosa Osmani, dje, për herë të parë e ka zbuluar se Obiliqi e kish ajrin shumë të papastër dhe në kuadër të ‘vizitave të gjelbra’, ka shkuar atje për ta pastruar ajrin me fjalë gjelbëruese.
Bile Mimoza ia kish kombinu setrën e gjelbër titullit të vizitës.

Normal që kur Vjosa u kthy në Prishtinë, e la Obiliqin ashtu siç e gjeti, n’tym.
Vizita e saj ishte e gjelbër, ama tymi i Obiliqit ishte i zi.

6. Doktorët e regjimit kanë vendosur t’i zvogëlojnë numrat e të infektuarve me Covid 19.
Ky zvogëlim po ndodh për hatër të ministrit të shëndetësisë dhe karrierës së tij politike.

Është shumë me rëndësi që ministrit me ja zvogëlu rastet e të infektuarve dhe ‘doktorët e oborrit’ e kanë gjetur një metodë efektive për ta mbrojtur ministrin nga dështimi: mos me bë teste, pa i dal flaka pacientit.

7. Dasmat nuk lejohen në restorante, por mbahen në shpija.
Të pamet për të vdekurit e para dy muajve po çelen tash.
Në kafiteri, gojë më gojë e shpinë më shpinë shqiptarët, kurse hotelet mbyllur.

Dikush shkon në pushim, e dikush në ‘amshim’.
Puna është kaq keq, sa që 22 mijë shqiptarë e kanë kaluar fundjavën në bregdetin shqiptar.

Çfarë pandemie turistike është kjo!

Presidenti Thaçi për shkak të pandemisë i ka shtyrë zgjedhjet në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut, kurse Avdullah Hoti i ka lejuar zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

Pse lejohet që serbët ‘ta rrezikojnë’ jetën duke votuar për Vuçiqin, e nuk lejohet ta rrezikojnë jetën për ta zgjedhur kryetarin e Mitrovicës së Veriut.

As shqiptarët e Kosovës nuk lejohet ta ‘rrezikojnë’ jetën për zgjedhje në Podujevë. Lejohet ta rrezikosh jetën veç për ‘zgjedhjen e Vuçiqit!

Sepse, Presidenti po ua ruan postet Agim Veliut dhe Goran Rakiçit, sepse e di Presidenti se kjo qeveri është me një këmbë në dhé e një mbi dhé.

Pra, ka kaq shumë kundërthënie, absurditete, çudira, askush nuk flet me një gojë, asnjëri doktor nuk është dakord me tjetrin (sepse shumica janë doktorë të regjimit), plus gjenden do sharllatanë që lansojnë teori të huazuara konspiracioni, që duke e luftuar frikën e lansojnë një frikë më të madhe, frikë mbi frikën,….
pra ka paq shumë kundërthënie, kaq shumë paqartësi, sa që shqiptarët kanë vendosur të mos i besojnë asnjërit dhe askujt.

8. Skeptikët e koronavirusit tash janë bë kallaballak. Ata kanë marrë vendim të mos e pranojnë faktin se ekziston virusi i lartpërmendur.

Nuk besojnë se ekziston koronavirusi, anipse mund ta shohin online duke u shumëzuar në makinën njerëzore për ‘prodhimin’ e proteinave.

Mund t’i vizitojnë të infektuarit, të flasin me të mbijetuarit, apo më së lehti, mund t’u besojnë varreve.

Ama, skeptikët mendojnë se zemra në të gjitha rastet është shkaktar i vdekjes së njeriut, ndërsa Covidi 19 është përcjellësja e parë e ‘miss vdekjes’, ndërsa përcjellësja e dytë është gjithmonë ‘mosha’.

Skeptikët e koronavirusit kanë vendosur të mos i besojnë këtij virusi, dhe kjo është si puna e ateistit, që kujton se pse ai nuk i beson Zotit, Zoti nuk ekziston.
E vërteta nuk varet prej teje.
Me mohimin dhe dyshimin tënd nuk e zhduk të vërtetën.

9. Nuk e di a janë skeptikët e koronavirusit optimistë dhe dashamirë aq të mëdhenj jetës, që mendojnë se vaksina e tyre ndaj virusit është mosbesimi;
– a janë trima të mëdhej (që kurrë për kurgjë s’kanë ‘qitë pushkë’);
– apo janë narcisoidë, që nuk mërziten pse vdesin të moshuarit, sepse për vete tash për tash janë të rinjë.

P.S. Sikur t’i kisha do pare, do ta kisha çel
një shkollë për ‘çmësim’.
Një shkollë që më së pari do të të mësonte të çmësohesh nga mësimet e vjetra, e pastaj të mësohesh prej fillimi.
Se pa u çmësuar më parë nga mësimet, zanatet, bindjet dhe paragjykimet e gabuara, nuk bën.