Një gjykatës iranian i arratisur nga Irani gjendet i vdekur në një hotel në Rumani

Policia e Bukureshtit njoftoi të premten se në një hotel njëri prej klientëve të tyre ishte gjetur i vdekur në holl pas asaj që dukej se kishte rënë nga një kat më i lartë. Viktima ishte klerik dhe gjykatës iranian i akuzuar nga regjimi i Teheranit për korrupsion, ndërsa as aktivistët për të drejtat e njeriut nuk janë pa ankesa për të pasi ishte përgjegjës për arrestimin dhe torturën e së paku 20 gazetarëve në vitin 2013 sipas Reporterëve Pa Kufij.

Gholamreza Mansouri, që u arratis nga Irani, është në mesin e disa gjykatësve i akuzuar për ryshfet gjatë një gjyqi të profilit të lartë të një ish zyrtari të lartë të drejtësisë që nisi me 7 qershor.

Policia rumune e kishte ndaluar Mansouri në fillim të muajit në Bukuresht derisa gjykata rumune pritej të merrte vendim muajin e ardhshëm për ekstradimin e tij.

“Ishte përcaktuar se mashkulli 52 –vjeç ishte shtetas i huaj nën kujdestarinë gjyqësore nën dyshimin për krime të kryera në një shtet tjetër” njoftoi policia në komunikatën e lëshuar, duke shtuar se hetimi ka filluar rreth vdekjes së tij.

Ministria e Jashtme e Iranit e ka konfirmuar vdekjen e Mansouri e shtoi se po presin raport nga Rumania rreth vdekjes së tij. Zëdhënësi i kësaj ministrie i tha mediave iraniane se Mansouri kishte shkuar në ambasadën iraniane në Bukuresht për të diskutuar kthimin e mundshëm kur ishte arrestuar nga policia rumune pasi ishte i kërkuar nga Teherani.

Mansourit i ishte caktuar mbajtje prej 30 ditësh dhe po mbahej nën vëzhgim. Një afat deri me 10 korrik i ishte caktuar Teheranit për të dorëzuar kërkesën e ekstradimit.

Javën e kaluar organizata Reporterët Pa Kufij dorëzuan një kërkesë kundër Mansouri në Gjermani, ku besohet se qëndruar para se të udhëtonte në Rumani, ata e akuzonin atë se ishte përgjegjës për “arrestimin dhe torturën” e së paku 20 gazetarëve në vitin 2013.