Nesër takim i ri i kryeministrit Zaev me liderin e Alternativës Gashi

Shkup, 28 nëntor – Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës Afrim Gashi nesër në orën 14 do të mbajnë takim të ri rreth asaj nëse partia do t’i bashkohet qeverisë dhe shumicës parlamentare ose do të mbetet në bllokun opozitar, kanë thënë për MIA-n nga Alternativa.

Kryesia qendrore e Alternativës të premten e ka autorizuar Gashin të nis bisedime me të gjithë aktorët politik, me kryeministrin dhe eventualisht me mandatarin e ri që të shihet se cili është koncepti për dalje nga kriza politike. Zaevi dhe Gashi më parë kanë mbajtur takim edhe më datën 19 të këtij muaji.

Në seancën e Këshillit qendror të LSDM-së që u mbajt poashtu të premten është konstatuar dorëheqja e Zaevit nga posti i liderit të partisë, por i është dhënë legjitimitet të zhvillojë negociatat për shumicën parlamentare.

Zaevi në deklaratën për Telma lidhur me atë nëse në këtë moment do të tërhiqet nga posti i kryeministrit, ndërsa dorëheqjen do ta dorëzojë në Kuvend ose do të dëgjojë kërkesën e partnerit të tij të koalicionit BDI që mandatin e tij ta përfundojë deri në vitin 2024, thotë se do të varet nga bisedimet me Alternativën dhe me Bullgarinë.

“Së pari duhet të përfundojnë bisedimet për shumicën parlamentare me Alternativën. Nëse e gjitha kjo përfundon do të bëhet vlerësim me shumicën parlamentare stabile, kur të hyhet në Parlament me procedurën për zgjedhje të qeverisë me Alternativën, ndërsa në varësi prej negociatave edhe me Bullgarinë. Një nga arsyet me të rëndësishme për shkak të cilës Alternativa do të hynte në qeveri është të sigurojë qeveri stabile dhe shumicë stabile për shkak të fillimit të negociatave me BE-në”, ka thënë Zaevi.