Negociatat mes Zaevit dhe Ahmetit: Flet NASER ZIBERI

/

Tashmë disa ditë që kanë nisur bisedimet mes LSDM-së dhe BDI-së për koalicion, por ende pa një epilog. Gjithçka që pohohet nga të dy palët është se kanë qëndrime të përafruara, por jozyrtarisht mësohet se kërkesa për Kryeministër shqiptar vazhdon të jetë problemi i bisedimeve. E deri sa negociatat vazhdojnë, kandidati i nominuar nga integristët për kryeministër, Naser Zyberi, po vazhdon profesionin e tij si jurist.

Në intervistë për TV21 thotë se nuk është i kyçur drejtpërdrejt në bisedime, sepse ato zhvillohen mes krerëve të partive Zaev-Ahmeti, por tregon se është i informuar për rrjedhën e negociatave direkt nga kreu integrist Ahmeti.
Nga ajo që di, Zyberi tregon se për momentin bisedimet mes Zaevit e Ahmetit janë tek çështja e modelit se si do të ndahej posti i kryeministrit, me variantet tashmë të përfolura, 2 vite me 2, 3 me 1 apo 1 me 3.

“Informatat që kam unë, është çështje modeli, për të cilin partitë politike kanë pikëpamje të ndryshme dhe nuk është fshehtësi se këtu bëhet fjalë për atë se cili do të jetë i nominuari i parë për formimin e qeverisë. Në këtë pozicion partitë shtrojnë argumentet se pse duhet të jetë ky mandatat ose ai mandatar, e kështu me radhë”, deklaroi, kandidati për kryeministër, Naser Zyberi.

E krahas kësaj, Zyberi nuk e pohon nëse Zaev e ka pranuar ose e ka refuzuar kërkesën për Kryeministër shqiptar. Beson se kreu i BDI-së Ahmeti do të gjejë modelin më të pranueshëm duke e nxjerrë më të mirën nga tryeza e bisedimeve, andaj as nuk pranon të komentojë edhe se cili model i ndarjes së kolltukut të kryeministrit do të ishte më i duhuri.

“Unë nuk po them as në fillim, as në fund, as kështu as ashtu, unë them që partitë politike duhet tët bëjnë më të mirën, që askush të mos ndihet i tradhëtuar dhe humbës, por askush të mos ndihet as triumfalist dhe fitues, në mënyrë që të ruhen linjat e bashkëpunimit, e këto linja do të ruhen në qoftë se respektohen interesat e të dy palëve dhe në rend të parë interesat e këtyre dy palëve duhet të reflektojnë interesin e qytetarëve”, theksoi kandidati për kryeministër, Naser Zyberi.

I pyetur se çfarë mendon nëse socialdemokratët dhe integristët gjejnë një emër tjetër për kryeministër shqiptar, Zyberi thotë se kjo nuk do të ishte zgjidhje e problemit dhe nuk do ta reflektonte vullnetin e qytetarëve, besimin e të cilëve më 15 korrik e kanë marrë mbi kandidatët e nominuar. Një zëvendësim i tillë, përfundon Zyberi, do të shihej si zhgënjim dhe mashtrim nga të dyja palët.