Në vendkalimet kufitare “Bllatë” dhe “Xhepishtë” vitin e kaluar frekuentim rekord

Shkup, 10 janar – Në dy vendkalimet kufitare “Bllatë” dhe “Xhepishtë-Trebishtë” në kufirin me Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë afër Dibrës, vitin e kaluar është regjistruar numër rekord i kalimeve, me ç’rast dominojnë qytetarët shqiptarë.

Sipas statistikës së ministrisë së vendit tonë të Punëve të Brendshme për hyrje dhe dalje janë regjistruar gjithsej 675.222 persona.

Në vendkalimin kufitar “Bllatë” kanë hyrë 59.163 shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa në dalje janë regjistruar 76.755. Në vendkalimin e njejtë numri i të huajve që kanë hyrë është 280.409, përderisa për dalje janë regjistruar 234.094.

Në vendkalimin kufitar “Xhepishtë-Trebishtë” për hyrje janë regjistruar 1.455 shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa në dalje 1.500. Nga ana tjetër, në këtë vendkalim, numri i shtetasve të huaj është disa herë më i madh. Numri i shtetasve të huaj për hyrje është 18.034, ndërsa për dalje 18.111 persona, banorë nga rajoni Gollo Bërdë.

Ky vendkalim kufitar është i karakterit lokal, në periudhën e verës punon prej orës 6:00 deri në orën 20:00, përderisa në dimër prej 8:00 deri në orën 18:00 dhe të drejtë përdorimi kanë banorët e rajonit kufitar.

Shtetasit e Maqedonisë së veriut në Shqipëri përmes vendkalimit “Bllatë” kalojnë, kryesisht për shkka të shfrytëzimit të pushimeve verore në bregdetin shqiptar, për vizita apo për ahengje familjare, si dhe furnizim të perimeve dhe frutave jugore. Përmes vendkalimit kufitar të dytë kryesisht për vizita tek të afërmit, miqtë apo me raste të ahengjeve, për shkak të lidhjes farefisnore me banorë nga fshatrat e Maqedonisë së Veriut Otishan dhe Xhepishtë por edhe nga Dibra.

Shtetasit shqiptarë të dy vendkalimet i përdorin për blerje në Dibër, ku furnizohen me artikuj ushqimor, veshmbathje, derivate, barëra, për marrje të ndonjë shërbimi shëndetësor, si dhe për vizitë në vendet turistike. Edhe ata për shkak të lidhjes farefisnore me dibranë vijnë për vizita tek të afërmit apo për ahengje familjare.