Në DokuFest mirëpriten sugjerimet e mërgimtarëve

në kategorine Diaspora

Në kioskun “Diaspora @ DokuFest”, po ashtu mund të bëhen edhe regjistrimet për tri pakot që DokuFest sivjet i ofron për diasporën, me një çmim special

E Diel, 4 Gusht 2019 – 15:35
albinfo.ch

Me qëllim që vitin e ardhshëm t’u ofrojnë programe më të mira dhe oferta më të larmishme turistike, vullnetarët e DokuFest-it po marrin sugjerimet e diasporës, shkruan albinfo.ch.
Pranë kioskut “Diaspora @ DokuFest”, që është vendosur në sheshin “Dëshmorët” në Prizren, ata po u shpërndajnë anketa mërgimtarëve, për të marrë mendimet e tyre.

Përmes kësaj ankete, mërgimtarët pyeten se për çfarë arsye e vizitojnë Kosovën, në cilën fushë do të investonin, a i cilësojnë të mjaftueshme pakot turistike, në cilën gjuhë flasin zakonisht, e të tjera.
Vullnetarët kanë thënë për albinfo.ch se po mundohen të marrin sa më shumë rekomandime e të dhëna, në mënyrë që t’i dinë nevojat dhe preferencat e mërgimtarëve, dhe vitet në vazhdim t’u ofrojnë aktivitete më të larmishme.
Megjithatë, ata thonë se nuk po ka edhe shumë interesim nga ana e mërgimtarëve për të marrë pjesë në këtë anketë. Mirëpo, vullnetarët po mundohen që brenda ditës të marrin sugjerime të paktën nga 50 bashkatdhetarë.
Në kioskun “Diaspora @ DokuFest”, po ashtu mund të bëhen edhe regjistrimet për tri pakot që DokuFest sivjet i ofron për diasporën, me një çmim special.
Nën moton “Shijo Kosovën si kurrë më parë”, Dokufest ka në dispozicion pakot “Ecje historike nëpër Prizren”, “Degustimi i verërave në Rahovec” dhe “Nashec Tour”.

Njëherësh, në këtë kiosk mund ta merrni falas numrin më të ri të revistës Albinfo.ch, që këtë herë mëton t’ua paraqesë mërgimtarëve një Kosovë turistike.
Programi “Diaspora DokuFest” në kuadrin e DokuFest 2019 mbështetet nga USAID dhe SIDA.

Burimi: https://www.albinfo.ch

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.