Ndahet nga jeta gjuhëtari i njohur, Jorgji Gjinari. Presidenti Meta mesazh ngushëllimi

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, Prof. Dr. Jorgji Gjinari, gjuhëtari dhe dialektologu i shquar. Gjithë jetën e tij Gjinari ia dedikoi hulumtimit të të folmeve të gjuhës shqipe.

Për lajmin e trishtë ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta, përmes një mesazhi në Facebook.

“Më trishtoi lajmi për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Jorgji Gjinari, gjuhëtar dhe dialektolog i shquar, i cili gjithë jetën ja dedikoi hulumtimit të të folmeve të gjuhës shqipe, brenda e jashtë kufijve të vendit, duke ndërmarrë një varg ekspeditash nga Jugu në Veri, po ashtu në Kosovë dhe te ngulimet arbëreshe të Italisë, me qëllim mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës, një ndër elementët më përbashkues të shqiptarëve kudo ndodhen.
Prof. Dr. Gjinari do kujtohet përherë me mirënjohje edhe si drejtuesi i punës dhe hartuesi kryesor për një nga veprat përgjithësuese madhore të gjuhësisë shqiptare, “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”.

Ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Gjinari, bashkëpunëtorëve e kolegëve të tij, në veçanti komunitetit të gjuhëtarëve, për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme!”, shkruan kreu i Shtetit.

Image

Prof. Dr. Jorgji Gjinari