Mos prisni mrekulli nga Qeveria Kurti, edhe pse mbi 50% të qytetarëve ia kanë besuar qeverisjen e vendit!

Me gjithë shpresën se Qeveria Kurti, do t’i luftojë të gjitha të këqijat të cilat i kanë instaluar partitë tjera gjatë qeverisjes së tyre, këtë do ta ketë të pamundur z.Albin Kurti, jo për një mandat qeverisë, por as edhe për disa mandate, ani pse ka premtuar.

Anomalit janë aq thellë të ngulitura thuajse në çdo pore të shtetësisë së Kosovës, që nga çlirimi e deri në ditët e sotme sa që edhe po të angazhohej CIA amerikane, e ka të pamundur t’i luftojë brenda një afati qeverisës katërvjeçarë, le më Qeveria Kurti, të cilës i duhet domosdoshmërisht të angazhoj edhe ata individ, të cilët potencialisht mund të jenë të ndërlikuar në të gjitha këto të këqija të cilat e kanë kapluar Kosovën kaq gjatë dhe në mënyrë kaq të egër, duke filluar nga : korrupsioni, krimi ekonomik i organizuar, klientelizmi, nepotizmi, krijimi i pasurive të pajustifikueshme dhe shumë fenomene tjera të cilat e kanë ngulfatur zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Të gjitha proceset në vend pas çlirimit kanë shkuar në të kundërtën e interesave të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Procesi i privatizimit ka qenë aq i keq sa që ekonomisë së vendit i ka shkaktuar më shumë dëme se sa dobi.

Asetet më të rëndësishme të vendit janë shitur me çmime shumë depresive. Thuajse të gjitha proceset e privatizimit i ka përcjellur korrupsioni dhe mega-nepotizmi.

Privatizimi i tokave tregon më se miri dobësinë dhe të metat e shumta të cilat e kanë përcjellur privatizimin.

Disa nga ata që i kanë blerë disa fabrika me rastin e privatizimit janë detyruar t’i zhvendosin ndërmarrjet e tyre për t’i vendosur në shtetet tjera të rajonit për shkak të korrupsionit dhe rrethanave jo të volitshme për të zhvilluar veprimtari ekonomike rentabile.

Ka të tilla ndërmarrje të cilat veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në Bullgari, dhe atje kanë punësuar me qindra punëtorë, në vend që të punësonin në Kosovë punëtorë, ku shkalla e papunësisë është më e larta në rajon.

Punësimet partiake dhe nepotike pa asnjë kriter në dobi të afarizmit të ndërmarrjeve më fitimprurëse publike siç është Telekomi, i kanë sjell buzë falimentimit, në vend që nga kjo ndërmarrje të merrte devident shteti 20 milionë euro për çdo vit, tani shteti detyrohet për t’ia mbuluar humbjet.

Ka edhe shumë fenomene tjera negative në Kosovë, të cilat janë të shumta dhe duhet të luftohen, por numri dhe natyra e tyre në dëm të së ardhmes së vendit është absolutisht e pamundur të përfshihen në një opinion kaq të përcipt, por një gjë duhet ta kuptojnë qytetarët e vendit tonë, se Qeveria Kurti, përkundër premtimeve dhe angazhimit të saj e ka të pamundur të bëjë mrekullia për vendin në këto rrethana kaq të ndërlikuara politike, ekonomike, të drejtësisë dhe ndërkombëtare.

Kërkohet një qeverisje e fuqishme, e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme kombëtarisht për ta shkundur pemën nga frytet e kalbura të qeverisjeve të mëparshme në mënyrë që Kosova të vendoset në rrugën e drejtë dhe të papengueshme të zhvillimit të saj në të gjitha aspektet si një shtet demokratik dhe modern.