Mjekja që provoi koronavirusin/ Flet nga karantina: U sëmur e gjithë familja

Ditën që mbaron zyrtarisht gjendja e fatkeqësisë natyrore shpallur nga qeveria, prej Koronavirusit, ne vendosëm t’ju përcjellim historinë e Nirvanës, mjeke familjeje.

Trajtoi shumë pacientë të prekur, erdhi një moment që u infektua edhe vetë.

“Ne nuk punojmë në fushë me lule, por me pacientë të prekur nga sëmundje të ndryshme. Erdhi një moment që u preka edhe vetë. Më pas u infektua vajza ime dhe prindërit. I kam në moshë dhe e harrova fare veten. Tani jemi më mirë. Vazhdojmë karantinën.
Unë pata këto simptoma: laringit, dhimbje trupi, temperaturë, humbje shije. Goca dhimbje koke dhe temperaturë.

Dëgjojmë histori konspiracioni, por unë them se Kovidi është realitet, ndaj duhet të vazhdojmë të bëjmë shumë kujdes.

Kur shikoj nga ballkoni njerëz, që e kanë ulur vigjilencën dhe nuk respektojnë rregullat, nga njëra anë, dhe unë e familja ime, që jemi karantinuar, janë dy realitete paralele.

Paragjykime ka. Një shoqe i tha vajzës: Po m’u sëmurën gjyshërit, ju të gjithë do mbani përgjegjësi.

Unë kam telefonuar gjithë kontaktet e para një jave nga infektimi, dhe të gjithe kanë bërë tampon dhe fatmirësisht dolën negativë.

Kovidi është sëmundje dhe vetmi në të njëjtën kohë”.