Mjekët britanikë paralajmërojnë politikanët: Kujdes nga vala e dytë e koronavirusit

Mjekët britanikë kanë paralajmëruar politikanët të bëjnë kujdes më të shtuar kur bëhet fjalë për COVID-19.

Në Britaninë e Madhe kanë nisur lehtësimet e masave, derisa mjekët thonë se vala e dytë e koronavirusit është edhe më e rrezikshme, raporton Reuters.

“Ndonëse e ardhmja e pandemisë në Mbretërinë e Bashkuar është vështirë të parashikohet, provat që i kemi tregojnë se vala e dytë e koronavirusit është një rrezik i madh”, thuhet në letrën e disa mjekëve drejtuar politikanëve.

Kryeministri Boris Johnson tha të martën se do të lehtësohen dukshëm masat e kufizimeve që u vendosën për të parandaluar koronavirusin, duke thënë se kjo po bëhet e mundur për shkak të rënies së numrit të infektimeve dhe se besohet që tash për tash nuk ka rrezik të një vale të dytë. Restorantet, hotelet dhe parukeritë mund të rihapen më 4 korrik në Britani të Madhe, kur edhe do të lehtësohen masat e distancimit fizik. Sallat e teatrit, kinematë, libraritë, muzetë, parqet dhe kopshtet zoologjike, janë në mesin e bizneseve që mund të rihapen.

Britania e Madhe ka një nga numrat më të rëndë të vdekjeve nga koronavirusi në botë. Deri tash, kanë vdekur mbi 43,000 persona.

Mjekët kërkuan një rishikim të asaj që duhet të bëhet për të parandaluar një valë të dytë të rasteve të COVID-19.