Miteva: Deklaratat e Makronit dhe Mishelit janë konfirmim se nuk ka asnjë garanci, qëndrimi jonë mbetet i pandryshuar

Shkup, 29 gusht – Deklaratat e presidentit të Francës, Emanuel Makron dhe kryetarit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel në Forumin strategjik të Bledit janë konfirmim se nuk ka garanci se vendi do të vazhdojë në rrugën drejt BE-së, deklaroi sot zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse mund të ndryshohet diçka tek VMRO-DPMNE lidhur me ndryshimet kushtetuese pas deklaratave për zgjerimin e BE-së në vitin 2030.

“Nga njëra anë kemi këtë deklaratë, ndërsa nga ana tjetër kemi deklaratë të Makronit ku thotë se BE-ja së pari duhet të reformohet dhe më pas të pranojë anëtare të reja. Ky është vetëm një konfirmim i asaj që flasim se nuk ka absolutisht asnjë garanci se edhe nëse bëhen këto lëshime, Maqedonia do të vazhdojë në rrugën e saj drejt BE-së. Gabimi i qeverisë sonë është që gjithë procesin e ka drejtuar shpejt dhe me premtime që tani nuk mund t’i përmbushë”, deklaroi Miteva.

Lidhur me thirrjen e LSDM-së që bashkërisht të marrin vendim për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim që sa më shpejtë të lëvizim drejt BE-së, Miteva theksoi se qëndrimi i VMRO-DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar.

“Në njërën anë mund të dëgjonim deklarata të tilla për zgjerim deri në një datë të caktuar, por nga ana tjetër, poashtu edhe nga përfaqësues të lartë të bashkësisë ndërkombëtare mund të dëgjonim deklarata ku thuhej se së pari BE-ja duhet të reformohet  dhe më pas të mendohet për zgjerim. Dhe kjo është esenca të cilin vazhdimisht e flet VMRO-DPMNE. Qeveria ka hyrë në një proces për të cilin nuk mund të sigurojë shumicën në Kuvend, nuk e ka konsultuar opozitën dhe në këtë drejtim qëndrimi i VMRO-DPMNE-së për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar”, deklaroi Miteva.