Ministri premton ‘luftë’ ndaj atyre që nuk respektojnë masat e sigurisë dhe shëndetit në punë

Ministri i Punës e Mirëqenies Sociale, premton se do të jenë të pa kompromis ndaj atyre që nuk respektojnë masat e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Në kuadër të Javës Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë, ai bashkë me kryeinspektorin e Punës, Ekrem Kastratin, vizituan një nga kantieret e ndërtimit të lartë në kryeqytet, për të biseduar nga afër me punëdhënës dhe punëmarrës, për të parë nivelin e respektimit të masave të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës.

“Ne do vazhdojmë që çdo ditë të jemi pranë secilit punëtor në vendin tonë, për të parë se sa po respektohen të drejtat e tyre dhe sa po punohet në zbatimin e masave për të mbrojtur jetën e tyre. Ne do të vazhdojmë të jemi të pa kompromis ndaj gjithë atyre që nuk respektojnë këto masa”, tha Reçica.

Ministri shtoi se duhet vlerësuar progresin e arritur deri më tani lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë, pavarësisht që nuk kemi arritur aty ku ne dëshirojmë. 

Sipas tij duhet theksuar se, në krahasim me të kaluarën, ne tashmë kemi më pak raste me lëndime të rënda dhe të lehta, si dhe më e rëndësishmja është që numri i atyre që kanë humbur jetën këtë vit, gjatë aktivitetit në vendin e punës është më i vogël, më ç’ rast edhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta gjithë atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre.

Ai shtoi se me një përkushtim dhe angazhim të përbashkët besoj që do të arrimë progres, në mënyrë që punëtori të ndihet më i sigurt në vendin e punës dhe punëdhënësi gjithashtu në kryerjen e veprimtarisë së vet, si biznes.