Mickoski: Retorika e BDI-së nuk sjellë të mira dhe vetëm e ashpërson situatën në shtet

Kumanovë, 21 qershor 2020 (MEDIAL) – Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, i cili ndodhet në takime me qytetarë në Kumanovë, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve për kushtet që dje i parashtroi BDI për kryeministër shqiptar dhe për pranim të kërkesave bullgare, tha se BDI llojin e tillë të kërkesave mund t’i mbajnë vetëm në radhët e veta për inkurajim të anëtarësisë së tyre.

Ai shton se VMRO-DPMNE është parti politike e cila iu drejtohet të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë së tyre etnike.

“Retorika dhe mënyra e tillë e sjelljes jo vetëm që nuk sjellë të mira, por përkundrazi, vetëm e ashpërson situatën në shtet. Ne do të përgjigjemi në mënyrë adekuate, sepse, kaluan kohërat kur BDI do të ndjehet në mënyrë të rehatshme dhe romantike në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë”, deklaroi Mickoski.

Ai tha se VMRO-DPMNE është fituese e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare së bashku me Koalicionin “Për ripërtëritje të Maqedonisë, duke përsëritur se të gjithë qytetarët janë të mërzitur të ndjehen si qytetarë të rendit të dytë. ab/