Mickoski kundër hapjes së Kushtetutës pa garanca të qarta nga Bullgaria

Shkup, 4 maj – VMRO-DPMNE nuk do të mbështesë hapjen e Kushtetutës dhe preambulës si kusht për tërheqjen e vetos nga Sofja dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE derisa të merret një garanci e qartë nga Parlamenti bullgar se nuk do të ketë kërkesa shtesë, tha sot lideri i partisë opozitare Hristijan Mickoski.

Sipas tij, një nga kushtet që qeveria në Sofje të tërhiqet nga vetoja është “hapja e Kushtetutës”, e cila kërkon një shumicë prej dy të tretash në Kuvend.

“Do ta përsëris qëndrimin e VMRO-DPMNE-së. Nuk ka hapje të Kushtetutës derisa të marrim një garanci të qartë nga Parlamenti bullgar se nëse Kushtetuta hapet dhe mbyllet në Maqedoni do të thotë se në këtë mënyrë mbyllen të gjitha çështjet e hapura ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe se derisa Maqedonia të jetë pjesë e BE nuk do të ketë më kërkesa shtesë nga fqinji ynë lindor. Vetëm në ato kushte mund të flasim, tha Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit gjatë vizitës së tij në Komunën Karbinc.

Ai shtoi se nëse Parlamenti bullgar nuk miraton një dokument të tillë, VMRO-DPMNE nuk do të mbështesë hapjen e Kushtetutës dhe të Preambulës.

Sipas tij, çfarëdo që të ndodhë në qershor në Këshillin Evropian kur të vendoset nëse Bullgaria do të heqë veton, nuk do të rezultojë me fillimin e negociatave sepse do të ketë kushte në atë kornizë negociuese.

“Unë jam gjithmonë optimist, por në rastin e Bullgarisë gjërat duket se shkojnë në një situatë të pashpresë”, shtoi Mickoski