Megjashi: Fëmijët ndjehen të vetmuar, dëshirojnë të shkojnë në shkollë

Shkup, 17 gusht – Një përqindje e madhe e fëmijëve gjatë pandemisë me Kovid-19 janë ndjerë të izoluar dhe të vetmuar, u mungon shoqërimi në shkollë, pesë për qind e nxënësve tërësisht janë përjashtuar nga mësimi onlajn pasi nuk kanë pasur mundësi ta ndjekin, një e treta e fëmijëve e ndajnë kompjuterin me ndonjë anëtar të familjes, gjë që e pengon cilësinë e mësimit në distancë, 48 për qind e fëmijëve e kanë ndihmësen e vet teknologjike, kumtoi sot Dragi Zmijanac nga Ambasada e parë e fëmijëve në botë “Megjashi”, duke i prezentuar rezultatet e hulumtimit të zbatuar tek 1231 fëmijë të moshës prej 10 deri 18 vjeç, nga i gjithë shteti për përvojën me mësimin onlajn gjatë pandemisë.

“Me shoqatën “Lajka” i kemi ndarë 2000 kartela pripejd që t’u mundësojmë fëmijëve të kategorive të cenueshme qasje në internet dhe me “Masit” i kemi ndarë mbi 50 lap-topë për fëmijët e familjeve të rrezikuara sociale. Ajo që gjithashtu na shqetëson është që fëmijët ndjehen të izoluar dhe të vetmuar, 68 për qind kanë dhënë se ndjehen më pak të lidhur me shokët e tyre, 65 për qind kanë thënë se u mungon shkolla, jo vetëm si komponentë obligative, por edhe si mundësi që atje të vendosin miqësi. Shqetëson edhe fakti se fëmijëve u mungon liri më e madhe”, thotë Zmijanac.

Në hulumtim fëmijët është dashur të bëhen sikur i drejtohen me letër Ministrisë së Arsimit. Në letrat për Ministrinë nxënësit kanë pyetur se pse punojnë kafiteritë, ndërsa shkollat nuk punojnë. Një pjesë e fëmijëve kanë kërkuar të kthehen në shkollë, të mos mësojnë nga librat digjitalë dhe të mësojnë më pak, ta mësojnë vetëm atë që me të vërtetë do t’iu duhet në jetë.

Profesoresha Universitare, Sofja Arnaudova tha se mësimi onlajn ka reflektuar në mënyrë negative mbi shëndetin mental të fëmijëve.

“Të dhënat e fituara treguan se 1 në 10 fëmijë (9 për qind) ka pasur shqetësime të konsiderueshme. Çdo i shtati fëmijë (15 për qind) përballet me nivel të konsiderueshëm të simptomave të stresit postraumatik. Kjo do të thotë se këto janë gjenerata tek të cilët shumë duhet pasur kujdes për shëndetin e tyre mental. Tek gjysma e fëmijëve vërehen probleme me koncentrimin, shqetësimin kur të përmendet një ngjarje stresuese, veçanërisht për një person të familjes i cili ka vdekur nga Kovid-19. I kemi 84 fëmijë, në familjet e së cilëve ka pasur të prekur nga Kovid-19”, kumtoi profesoresa Arnaudova.

Hulumtimi gjithashtu ka treguar se fëmijët, veçanërisht më të rriturit, pësojnë dhunë kibernetike.

Dhunë kibernetike kanë përjetuar 37 për qind e nxënësve në shkollë fillore dhe 66 për qind e nxënësve të shkollave të mesme.

“Disa fëmijë kanë përjetuar dhunë për shkak të shtëpisë së tyre (dukshëm gjatë ligjërimit përmes internetit) dhe për shkak të pajisjeve që i përdorin gjatë orëve onlajn. Një pjesë e fëmijëve kanë përjetuar dhunë kur janë përjashtuar nga grupet e Viberit”, informoi profesoresha.

Lidhur me tekstet shkollore digjitale, ajo tha se fëmijët i kanë numëruar një numër të madh gjërash negative kur bëhet fjalë për mësimin nga tekstet shkollore digjitale, para së gjithash pasi vazhdimisht do të jenë të lidhur për kompjuterin ose nuk do të mund të izolohen në një dhomë tjetër për të mësuar siç e bëjnë atë me tekstet shkollore klasike. Si përfitime të teksteve shkollore digjitale, nxënësit i kanë theksuar mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe kursimin e letrës.