„Mediapul”: Qeveria dhe opozita bullgare duhet të zgjidhin nyjen me Maqedoninë e Veriut

Shkup, 24 nëntor – “Edhe përkundër presionit të SHBA-së dhe Komisionit Evropian dhe faktit se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut është interes i padiskutueshëm si i Bullgarisë ashtu edhe i Bashkimit Evropian, mundësitë që Sofja do të miratojë kornizën negociuese me vendin ende janë joreale, nëse Shkupi nuk tregon gatishmëri për të pranuar kërkesat bullgare”, vlerëson portali bullgar “Mediapul.bg”.

“Nëse Shkupi merr perspektivë për të ecur drejt BE-së, kjo do t’i ndihmojë qarqet pro-evropiane të ndërmarrin zgjidhje antipopuliste. Por nëse nuk ka sinjale pozitive nga pala bullgare, me siguri do të vazhdojë intensifikimi i retorikës antibullgare në Maqedoninë e Veriut. Për këtë arsye përgjegjësia e Bullgarisë është e madhe – si për qeverinë ashtu edhe për opozitën. Nëse ka një çështje për të cilën duhen bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje racionale të orientuar drejt një perspektive afatgjatë, ajo është zgjidhja e nyjes me Maqedoninë e Veriut”, konkludohet në analizë.

Në tekst citohet se Shkupi ka shpresa të mëdha që qeveria e re bullgare ta çojë vendin në rrugën evropiane, por do të duhet të kuptojë se nuk do të jetë në gjendje të “ndryshojë pozicionin e Bullgarisë pa ndryshuar sjelljen e saj”.

Sipas autorit të analizës, “çështja maqedonase” do të jetë ndër temat qendrore në negociatat për formimin e qeverisë së re të koalicionit në Bullgari, duke pasur parasysh se të paktën dy parti në koalicionin e ri qeverisës potencial – Partia Socialiste Bullgare (BSP) dhe Ka Popull të Tillë (ITN) janë kategorikisht kundër çdo kompromisi me Maqedoninë e Veriut, ndërsa fituesit e zgjedhjeve Ndryshimi Vazhdon (PP) dhe Bullgaria Demokratike (DB) bëjnë thirrje për një qasje të re për të bërë përparim dhe për ta çuar vendin drejt Bashkimit Evropian.

“Nga komentet e Ndryshimit Vazhdon (PP) mund të vlerësohet se formacioni do të përpiqet ta “veshë” çështjen maqedonase në dimensionet e saj ekonomike, duke e zhvendosur fokusin nga tema e dhimbshme e historisë. Nuk ka gjasa që kjo të ndodhë me BSP-në dhe ITN-në, të cilat do ta kishin të vështirë të pajtoheshin me kompromise që, qoftë edhe të parëndësishme, do të inkurajonin votuesit e këtyre dy partive, si dhe ish partia qeveritare Qytetarë për Zhvillim Evropian të Bullgarisë (GERB) dhe nacionalistët, të akuzojnë autoritetet e reja për “tradhti”, citon “Mediapul”.

Në tekst rikujtohet se presidenti bullgar Rumen Radev, i cili u rizgjodh në zgjedhjet e së dielës, në muajt e fundit e zhvendosi fokusin e marrëdhënieve midis dy vendeve nga mosmarrëveshjet historike në “respektimin e të drejtave të bullgarëve maqedonas”, gjë që ai e konsideroi diçka më të kuptueshme. për partnerët evropianë të Bullgarisë dhe në të njëjtën kohë lejon Shkupin të tregojë gatishmëri për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve pa hyrë në çështjet e identitetit dhe gjuhës.

„Një nga kërkesat kryesore të Bullgarisë është që Maqedonia e Veriut të përfshijë bullgarët në Kushtetutën e saj në baza të barabarta me kombet e tjera, diçka që autoritetet maqedonase thonë se janë të gatshme ta bëjnë, por vetëm para ose pas hyrjes së vendit në BE. Për momentin, autoritetet në Shkup refuzojnë të bëjnë diçka për këtë, por ndryshimi i qëndrimit bullgar nuk do të jetë i mundur pa veprimin e tyre” konsideron autori i analizës.

Në tekst theksohet se në marrëdhëniet me vendin, Bullgaria i përmbahet Pozicionit Kornizë të miratuar nga Parlamenti bullgar në vitin 2019, i cili përcakton “vijat e kuqe” të vendit.

“Ndryshimi më legjitim i qëndrimit bullgar do të kërkojë një debat të ri për këtë çështje në Kuvendin Popullor, i cili sigurisht që do të ndezë një valë populiste. Nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i GERB-it, sepse pasi qeveria e Bojko Borisovit e “bëri çorbën” me Shkupin, ai çuditërisht ndryshoi qëndrim dhe propozoi zgjidhje të shpejtë të problemeve, por pa specifikuar se si”, thekson “Mediapul”.

Analiza vlerëson se çdo vendim që do të jetë në favor të Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se si do të jetë i paketuar, do të ketë një çmim të lartë politik nëse nuk shoqërohet me veprim të qartë të Shkupit, kështu që nuk është e qartë nëse partitë që bëjnë thirrje për një qasje të re do të ishin të gatshme ta paguanin këtë çmim.

“Për më tepër, qeveria e ardhshme e PP-së përballet me një detyrë shumë komplekse – katër partitë do të duhet të bien dakord për një sërë kompromisesh për shumë tema dhe politika”, citon autori i analizës në “Mediapul”, duke shtuar se për këtë arsye Shkupi do të duhet të kuptojë se do të duhet të ndërmarrë hapa seriozë në lidhje me kërkesat bullgare dhe “të mos shpresojë vetëm në presionin e Shteteve të Bashkuara dhe të Komisionit Evropian ndaj Sofjes”.