Me rastin e 23 vjetorit të rënies së KOMANDANTIT!

Sot para 23 viteve ra heroi i popullit shqiptar, Adem Jashari, me të gjithë familjen e gjerë, duke treguar se si pa armë dhe me familje, lufton kombi për liri, duke bërë edhe sakrificën sublime të tërë familjes. Ranë bebe, femijë, të rinjë në mosha minore, gra dhe burra, nëna shtatëzëna. Ra e tërë familja për liri. Lavdi!

Pas 23 viteve e shikoja sot FSK-në. Ajo forcë që erdhi nga UÇK-ja, ende pa armë adekuate për mbrojtje të nevojshme të kombit nga hordhitë kërcënuese serbomadhe. Beogradi po armatoset. Ata po marrin avion, raketa, njësi tenkiste dhe armë tjera të rënda. Nuk ka ditë që çetnikët, si Vuçiq, Daçiq, Vulin etj., që nuk e shprehin hapur qëllimin për luftë në Kosovë. Ata kërcënojnë me armë. Vijnë në kufij të Kosovës dhe i fishkëllojnë armët e rënda. Deklarohen se janë në gjendje të gatshme për të sulmuar Republikën tonë.

I mbushin mediat me armë. Asgjë nuk kanë ndryshuar tash nga para vitit 1999. Kanë mbetur të njëjtit njerëz dhe po të njëjtat kërcënime janë. Vetëm se tash nën petkun e “demokracisë dhe të ruajtjes së qenies serbe në Kosovë”. Kërcënimet për Republikë janë serioze. Armët nuk janë në Serbi për pëllumba dhe sorra. Serbia ka treguar se ç’ është në gjendje të bëj mbi popullin shqiptar, pavarësisht moshës dhe gjinisë. Gjenocid…!

Ndaj kësaj maskarade ushtarake duhet një ushtri e fortë. Mirë është që e kemi KFOR-in në Kosovë. Por deri kur? Kjo duhet të na shqetësoj. Kjo për faktin se Serbia po armatoset dhe po pret momentin për të sulmuar ushtarakisht. Në atë sekondë që largohet KFOR pritet të bëhet sulm ushtarak ndaj Kosovës. Ky fakt tregon se Republika duhet të përgaditet. Qeveria qe vjen kërkohet të ndaj buxhetin adekuat për ushtri, në mënyrë që të sigurohen armët adekuate ndaj armëve ofenzive që i ka shteti serb.

Natyrisht se pa humbur kohë duhet të futet shërbimi ushtarak i obliguar për të gjithë qytetarët e moshës së rritur ushtarake. Këtu mendohet në shërbim ushtarak obligativ nga 6 deri në 12 muaj. Me këto masa dhe me armë adekuate, duke marrë për bazë aftësitë e shqiptarëve për armë dhe dashurinë për ATDHE sigurohet mbrojtja adekuate. Përndryshe do të ketë Republika të rëndë të mbrohet nga Serbia me gjendjen aktuale që është në FSK. Koha është e ari dhe arin duhet përdorur për mbrojtje. Rrugë tjetër nuk ka.