Me ligj synohet të falen borxhet gjatë pandemisë, Qeveria e painteresuar

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka paralajmëruar që do të iniciojnë ligjin në Kuvend për faljen e borxheve si për qytetarët, ashtu  edhe për bizneset edhe pas mos votimit të rezolutës të propozuar në Kuvend për këtë çështje.

Deputeti i kësaj
partie Pal Lekaj në një intervistë për Ekonomia Online theksoi se pas dështimit
të votimit të rezolutës, është më e vështirë miratimi i këtij ligji, pasi sipas
tij, Qeverisë Kurti nuk po i intereson qytetari por interesat e saj politike.

“Sa i përket
inicimit të nismës ligjore, mendoj që është e drejtë e çdo grupi parlamentar, e
deputetëve që nisin nisma të tilla ligjore, mirëpo nëse bazohemi në rezolutën
që nuk është miratuar, e  kemi shumë të
vështirë që ta kalojmë edhe ligjin sepse qeveria aktuale fort nuk po i
intereson qytetari, por më tepër po bëjnë politikë sesa të merren me qytetarët
dhe ajo që ne kemi parë të drejtë është të kërkojmë amnisti për borxhet gjatë
pandemisë. Si përfundim ne si AAK do të iniciojmë ligjin që i amniston borxhet”.

Mbështetjen e
opozitës, Lekaj e cilëson si diçka unike, por që faji kryesor mbetet prapë te
pozita duke shpresuar që të ndryshojnë lidhur me këtë çështje.

“Po nëse
nisemi nga votimi, opozita mendoj që ajo është unike në këtë drejtim por që
pozita dihet që kanë qenë kundër dhe mendoj që mos po ndryshojnë gjatë kësaj
periudhe dhe mendojnë më ndryshe. Nga ky vit që kemi pasur pandeminë e edhe
viti 2020 mendoj që është e drejtë që të punohet me ngulm dhe të ndodh ligji
për amnistinë e nëse nuk ndodh kjo atëherë përgjegjësitë mbeten te Qeveria
aktuale”, theksoi tutje ai.

Përfshirja e faljes
së borxheve është edhe për qytetarët, por edhe për bizneset thotë Lekaj.

“Ne do të
fillojmë edhe me faljen e borxheve edhe për qytetarët, por edhe për bizneset,
dhe në bazë të rregullave,  ligjit e
Kushtetutës së Kosovës, parlamenti është organi që  e bie ligjin, e miraton ligjin dhe mund ti
amnistojë edhe qytetarët”, përfundoi ai.

Përderisa Partia
Social Demokrate (PSD) është duke mbledhur nënshkrime duke kërkuar faljen e
borxheve për qytetarët gjatë pandemisë.

Natyra Kuçi,
zyrtare e kësaj partie tha se Vetëvendosje po kundërshton këtë projektligj pasi
është iniciuar nga po kjo parti, por që nuk duhet vazhduar me këtë trend sepse
nuk është turp tu ndihmohet qytetarëve.

“Atë çfarë po bën
PSD-ja, pra është duke mbledhur nënshkrime, që gjithsej duhet të jenë 10 mijë
sosh për të dërguar projektligjin në Kuvend. Pra çfarë ka iniciuar AAK-ja ka
qenë për bizneset dhe ne çfarë po bëjmë është për gjobat e qytetarëve dhe
bizneseve të vogla, që janë me vlerë mbi 10 milionë, pra nuk është që vetëm një
parti politike po  e bën por është kërkesë
e qytetarëve të këtij vendi. Dhe mendoj që më e pakta që mund të bëhet është të
votohet ky projektligj”, tha ajo.

“E gjithë kjo
na bën të kuptojmë që Vetëvendosja po kundërshton këtë projektligj edhe pse është
iniciuar nga ne dhe kjo nuk besoj që do duhej të vazhdohej me këtë avaz dhe këtë
trend të qasjes në politikë sepse tek e fundit nuk është aspak turp ti ndihmosh
qytetarit dhe të marrësh përgjegjësi për gjitha ato çfarë i ke bërë. Dhe kjo na
bën të kuptojmë që pandemia ka qenë më e dëmshme nga partitë politike”.

Kuçi thekson se
deklaratat e VV-së janë skandaloze sa i përket faljes së gjobave dhe është e
padrejtë të mos përkrahen, raporton EO.

“Ne kemi vërejtur deklarata skandaloze të Mimoza Kusarit, e cila është shefe e grupit parlamentar të VV-së ku ajo kishte thënë që më mirë të paguhet rryma në veri sesa të na kthehen ushtarët në arkivole ndërsa tani thotë që nuk duhet falur dënimet e qytetarëve po qytetarët duhet të ndëshkohen që nuk i kanë respektuar masat, ku faktikisht e dimë se si janë dhënë ato dënime. Pra dënimet janë vendosur në mënyrë të padrejtë, dhe dënimet nuk e kanë ndalur virusin”, përfundoi ajo.