Martin Protugjer pozitiv me Kovid-19, seanca gjyqësore për lëndën “Titanik” anulohet

/

Ish funksionari i lartë i VMRO-DPMNE-së, Martin Protugjer, tani i akuzuar në procesin “Titanik” është pozitiv me Kovid-19, për shkak të së cilës është anuluar seanca e sotme gjyqësore për këtë rast.

Mbrojtja e Protugjer, deri te Gjykata ka dorëzuar  njoftim se edhe bashkëshortja e të akuzuarit është me koronavirus. Sipas protokolleve,  ai do të parandalohet të marrë pjesë  në debatet kryesore në 20 ditët e ardhshme, gjegjësisht  në atë periudhë  nuk do të mbahen  debatet kryesore.

Në lidhje me situatën e sapondodhur, gjykatësi Osman Shabani, i obligoi avokatët e të akuzuarit Martin Protugjer, para 5 nëntorit  ta njoftojnë gjykatën për gjendjen e tij shëndetësore.

Procesin e udhëheq gjykatësi Osman Shabani, ndërsa përfaqësuese e akuzës është Lile Stefanova.

Aktakuza e inicuar nga ish Prokuroria Speciale Publike, për këtë lëndë dyshon për 20 persona për bashkim kriminel,  shkelje të së drejtës zgjedhore, shkelje të lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financim të fushatës zgjedhore të VMRO-DPMNE-së.