Mariçiq nga Podgorica: Ballkani Perëndimor meriton të ardhme të sigurt dhe evropiane

Shkup, 27 nëntor – Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq në fjalimin në konferencën “Forumi i integrimit ballkanik 2021” që u mbajt në Podgoricë ka thënë se në interes gjeostrategjik të Unionit është që ta integrojë Ballkanin Perëndimor. Sipas tij situata momentale jep hapësirë të hapen çështje të reja, ndërsa bllokadat do të vazhdojnë të inkurajojnë forcat retrograde që kundërshtojnë unitetin evropian dhe vlerat.

“E dimë se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë edhe shumë punë, reforma, sfida dhe sprova. Por tani është koha e duhur Unioni të tregojë se ka plan të qartë për rajonin, pasi në të kundërtën u jep shans shteteve tjera që padyshim kanë interesa strategjike për rajonin”, ka thënë Mariçiqi, thuhet në kumtesën e kabinetit të tij.

Ai në fjalimin e tij është përqendruar edhe në reformat në gjyqësi dhe procesin integrues të vendit që sipas tij tregoi vlera të vërteta evropiane, vullnet politik për zbatimin e reformave dhe u bë shembull i zgjidhjes së çështjeve më të vështira përmes dialogut dhe diplomacisë.

“Si shtet dhe qeveri treguam përcaktim të sinqertë dhe të fortë si dhe përkushtim për evropianizimin e vendit. Tani radhën  e ka Unioni”, ka thënë Mariçiqi.

Ndryshe, panelistë dhe pjesëmarrës në forum kanë qenë politikanë të njohur, ish funksionarë si dhe aktual, diplomatë dhe ekspertë nga Evropa dhe rajoni.