Macron: BE duhet të reformohet para se të zgjerohet, të bëhet union me dy shpejtësi

Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se BE-së mund t’i duhet të evoluojë drejt një bashkimi me shpejtësi të ndryshme, deri sa mendon si të integrojë Ukrainën, Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Macron thotë se BE-ja duhet të reformohet nëse dëshiron të zgjerohet me vende të reja dhe duhet të krijojë një konsensus midis më shumë se 30 vendeve.

“Është e rrezikshme të mendojmë se ne mund të zgjerohemi pa reforma. Mund të dëshmoj se është mjaft e vështirë për Evropën të bëjë përparim në tema të ndjeshme me 27 anëtarë. Me 32 ose 35 anëtarë, nuk do të jetë më e lehtë”, tha Macron në takimin vjetor të ambasadorëve francezë në Paris. “Na nevojitet guxim për të pranuar një integrim më të madh në disa fusha dhe ndoshta edhe një Evropë me shpejtësi të ndryshme,” shtoi ai.

“Macron nuk sqaroi në detaje se si mendon që Evropa do të punonte me shpejtësi të ndryshme, por tha se nevojitet një “reemont” i procedurave të BE-së për të ruajtur tërheqshmërinë e saj, transmeton SDK.mk. Sipas disa zyrtarëve francezë, qeveria e Macron po punon për disa propozime për Evropën me shpejtësi të ndryshme, me çrast vendet anëtare do të krijonin grupe joformale për të punuar në fusha specifike.

Macron njoftoi gjithashtu se do të shprehë pikëpamjet e tij për zgjerimin e BE-së në muajt e ardhshëm, para zgjedhjeve të Parlamentit Evropian. Duke folur për bisedimet Kosovë-Serbi, Macron ka thënë se marrëveshja e Brukselit që njihet si propozimi “franko-gjerman” është rruga e duhur dhe se duhet angazhim i palëve.

Ai ka bërë thirrje që palët të riangazhohen edhe për organizim të zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës, serbët të kthehen në institucione të Kosovës, duke përmendur edhe formimin e Asociacionit.

“Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha Macron.

Nga ana tjetër, në forumin e mbajtur në Bled, Slloveni, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se BE do të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030.

 “Për të qenë të besueshëm, besoj se duhet të flasim për kohën dhe detyrat e shtëpisë. Ndërsa përgatitemi për agjendën e ardhshme strategjike të BE-së, ne duhet të vendosim një objektiv të qartë. Besoj se duhet të jemi gati, të dyja palët, për t’u zgjeruar deri në vitin 2030”, tha Michel