Lufta për mbijetesë mes Fortunas dhe Werderit zhvendoset në xhiron e fundit

Werder Bremen i Milot Rashicës dhe Fortuna Dusseldorf i Valon Berishës në xhiron e fundit të Bundesligës, do të përcaktojnë fatin e tyre, nëse do të jenë sërish pjesë e elitës së futbollit gjerman për sezonin e ri.

Në ndeshjet e xhiros së 33-të, Dusseldorf nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim 1:1 në shtëpi kundër Ausburg,.

Valon Berisha që u paraqit për 80 minuta në këtë ndeshje, asistoi te goli i Fortunas, që u shënua nga Hennings në minutën e 85’.

Në anën tjetër, Milot Rashica qëndroi për 90 minuta në bankinë në humbjen 3:1 të Werderit në udhëtim te Mainz.

Pas 33 xhirosh, Fortuna me 30 pikë renditet në vendin e 16-të, që njihet si zona e Play Off, ndërsa Werder Bremen me 28 pikë, në vendin e 17-të, pozitë kjo që dërgon direkt në Bundesliga 2.

Në xhiron e ardhshme, e cila është edhe e fundit, Fortuna udhëton te Union Berlin, ndërsa Werderi në shtëpi pret skuadrën e Koln.