Lokomotiva e shqiptarëve dhuron ndeshjen e sezonit në Kroaci, e mposht me përmbysje Hajdukun

Një ndeshje jashtëzakonisht emocionuese është zhvilluar ‘Stadion u Kranjcevicevoj ulici’ në Zagreb, ku Lokomotiva ka përmbysur epërsinë e dy golave ndaj Hajdukut, për fitoren e madhe 3:2 në fund të ndeshjes.

Lokomotiva e Zagrebit derbin e javës në Kroaci e nisi me pesë lojtarë në formacion.

Sulmi i vendasve përbëhej nga Kastrati, Tuci dhe Uzuni, ndërsa Cokaj ishte në mesfushë dhe Mersinaj në mbrojtje.

Mysafirët e Hajdukut, pjesë e të cilëve është edhe Ardian Ismajli, e nisën mirë takimin, duke arritur të shënojnë dy gola për 0-2 në pjesën e parë.

Pjesa e dytë dhuroi ndeshjen më interesante të këtij sezoni në Kroaci.

Lokomotiva e shqiptarëve arriti të përmbyste rezultatin për fitore 3:2, dhe goli vendimtar u shënua në minutën e 97’

Me këtë fitore, Lokomotiva zë vendin e dytë në tabelë, duke hyrë në zonën që dërgon në kualifikime për Ligën e Kampionëve.

Kujtojmë se në Kroaci, Dinamo Zagreb veç ka fituar titullin e kampionit.