Limaj prezanton dy aderime në Nisma: Po na bashkohen intelektualë me ide të qarta
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka prezantuar të martën dy aderime, Gëzim Ibrahimin dhe Ismet Hajdinin, raporton Ekonomia Online.
Këto aderime, kreu i Nismas i quajti lajm të jashtëzakonshëm, derisa tha se subjektit të tij po iu bashkohen njerëz intelektualë e veprimtarë e me ide të qarta.
“Sot kam kënaqësinë që para juve dhe opinionit publik, para anëtarësisë së gjerë të Nismës Socialdemokrate të bëjë prezantimin e ardhjes së re. Një ekip të njerëzve të angazhuar me përvojë intelektualë, familjarë, aktivistë e veprimtarë që një pjesë e tyre një jetë ia kanë kushtuar jetës publike dhe angazhimit publik. Sot prezantojmë para jush doktorin, stomatologun, ne jemi me një përvojë të jashtëzakonshme edhe legjislative edhe ekzekutive me Ismet Hajdinin i cili nga sot po i bashkohet Nismës”, u shpreh Limaj.
I aderuari, Gëzim Ibrahimi përmendi dy arsye kryesore që ndikuan për t’iu bashkuar Nismës Socialdemokrate.
Sipas tij, gjendja momentale në politikë të brendshme dhe të jashtme, shëndetësi, arsim e ekonomi kanë nevojë për qeverisjen e NISMA-së.
“Janë dy arsye kryesore që i’u kemi bashkuar Nismës: është gjendja momentale në Republikën e Kosovës që nga gjendja politike, sociale, arsim, shëndetësi dhe deri tek politika dhe stagnimet në integrimin e Republikës së Kosovës në BE dhe NATO. Arsyeja e dytë është se gjatë qeverisjes, kur ka qenë edhe Nisma, Gjilani dhe Anamorava ka pas një përkrahje të jashtëzakonshme nga kryetari Limaj”, u shpreh ai.
Ndërkaq, ish ministri Fatmir Matoshi, i cili tashmë ka aderuar në Nismën Social Demokrate tha se përgjatë muajve të fundit kanë ardhur në përfundim se ka ardhur koha për NS-në në rajonin e Anamoravës.
“Jam shumë i lumtur që rrugëtimit tonë të Nisma i është bashkuar Ismeti dhe Gzimi dhe shumë të tjerë nga dita e sotme, Nisma është e përfaqësuar edhe në Kuvendin Komunal në Gjilan me asamblist. Kemi ardhë në përfundim që koha për Nisma Socialdemokrate në rajonin e Anamoravës tashmë po vjen dhe ditë e përditë dhe kemi mbështetje dhe përkrahje dhe në finalizim të projekteve tona ideore të programit tonë planit për të ardhmen që mendojmë dhe jemi të bindur që bashkë me kryetarin Lima do të realizojmë në mandatin e ardhshëm qeverisës që NSIMA do të jetë në kuvend dhe qeveri”, u shpreh ai.