Lëvizja për Bashkim: Pa Kosovën Lindore në bisedime nuk ka fitore

Lëvizja për Bashkim ka akuzuar qeverinë Kurti se në bisedimet me Serbinë, po vazhdon avazin e vjetër.

Në një komunikatë dërguar medieve thuhet se Reciprociteti në të drejta në paralelën Preshevë-Bujanoc-Medvegjë, në njërën anë, dhe Leposaviq-Zveçan-Zubun Potok, në anën tjetër, është çelësi i vetëm i daljes nga rrethi vicioz i bisedimeve të pafundme Kosovë-Serbi.

“Edhe Qeveria e re e Kosovës, në bisedimet me Serbinë, po e vazhdon avazin e vjetër: Pa platformë politike, pa koncept të qartë për zgjidhjen e problemeve dhe me një papërgjegjësi të plotë karshi momentit historik për shtrimin e drejtë dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura të pazgjidhura ndërmjet Kosovës e Serbisë”, thuhët në reagim e LB-së.

Komunikata e plotë:

Nesër, më 15.6.2021, do të rifillojnë bisedimet Kosovë-Serbi, përkatësisht do të takohen Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Edhe Qeveria e re e Kosovës, në bisedimet me Serbinë, po e vazhdon avazin e vjetër: Pa platformë politike, pa koncept të qartë për zgjidhjen e problemeve dhe me një papërgjegjësi të plotë karshi momentit historik për shtrimin e drejtë dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura të pazgjidhura ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Deri sa faktorët e përfshirë ndërkombëtarë dhe Serbia po ngulmojnë që fillimisht të implementohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, vërehet qartazi se Qeveria e Kosovës po përpiqet që t’i prolongojë bisedimet dhe ta ruaj status quo-në.

Në të dyja raste, nga situata e sotme, fituese do të dalë Serbia, e, natyrisht, humbëse Kosova.

Dhe kështu do të ndodhë deri sa Kosova të mos i shtrojë drejtë e me guxim çështjet e mbetura të pazgjidhura me Serbinë, përkatësisht deri sa ta përfshijë edhe Kosovën Lindore në bisedime, si çështje të pazgjidhur në raportet Kosovë-Serbi.

Reciprociteti në të drejta në paralelën Preshevë-Bujanoc-Medvegjë, në njërën anë, dhe Leposaviq-Zveçan-Zubun Potok, në anën tjetër, është çelësi i vetëm i daljes nga rrethi vicioz i bisedimeve të pafundme Kosovë-Serbi.