Lëvizja Besa: Ahmeti të mos luaj me kartë nacionaliste
Shkup, 18 janar – Lëvizja Besa, përmes një komunikate për media, sot i kanë bërë thirrje kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, që të mos luajë me karta nacionaliste sepse siç shtojnë, kjo retorikë e tij, e dërgon ujin në mullirin e Levicës, informon Zhurnal.
Nga kjo parti janë të mendimit se këto politika nxitëse të BDI-së nuk i japin vendit rrugë për integrim në strukturat euroatlantike, por vështirësojnë jetën e qytetarëve.
Nga BESA thonë se BDI po dështon në të gjitha drejtimet dhe për këtë shkak Ahmeti me politikat e tij po e dërgon vendin në humnerën e konfliktit ndëretnik.
“Reprizat e Ali Ahmetit dhe BDI-së tashmë janë të njohura për opinionin. Në momente krize të BDI-së, Ahmeti dhe partia e tij i rikthehen retorikës nacionaliste për të fituar vota. Kjo retorikë e Ahmetit dërgon ujin në mullirin e Levicës, që të nxit shqiptarët në emër të patriotizmit të rrejshëm të BDI-së të votojnë subjektin në fjalë. Politikat nxitëse të BDI-së nuk i japin rrugë vendit për integrimin në strukturat euroatlantike, përkundrazi edhe më shumë vështirësojnë jetën e qytetarëve. Ngjarjet kur nxënësit shqiptar rriheshin nëpër autobuse në Shkup janë ende të freskëta, prandaj vendi ynë së bashku me të gjitha etnitetet që jetojnë në RMV, duhet të integrohen në BE, si popuj të bashkuar dhe të unifikuar.
Në momente kur ai dhe partia e tij po dështojnë në të gjitha drejtimet, ai po mundohet me politikë qorre të dërgojë vendin në humnerën e konfliktit ndëretnik. BDI duhet të lërë politikat nxitëse, por të jep llogari për dështimet 20 vjeçare, sesi nuk kanë arritur që të realizojnë projekte kapitale nëpër vendbanimet shqiptare. Vendin e ka kapluar krimi dhe korrupsioni dhe dështimet e qeverisë janë të njëpasnjëshme. Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë për konflikte ndëretnike”, thuhet në kumtesën e sotme të Lëvizjes BESA./Zhurnal.mk