Ledri, Alban Ramosaj dhe Ardit Çuni: 3 artistët që blejnë klikime!

Kreu i Acromax, Aldor Nini preku në emisionin Abc e Pasdites një temë të shumëdiskutuar prej kohësh; e që duket ngjall vërtet mjaft interes: atë të blerjes së klikimeve, kur evidentohen shifra marramendëse në videoklipet e këngëtarëve në Youtube. Shpesh aludohet se ato blihen, e shumë artistë akuzohen e akuzojnë për blerjen e tyre, i cili është një proçes i njohur tashmë dhe shumë lehtësisht i arritshëm. Por pasi u zbulua shumë artistë të festivalit Kënga Magjike kanë blerë klikimet, u nis një debat i ri në median online dhe jo vetëm. Aldor Nini shpjegoi më në detaje sesi funksionon procesi i blerjes së klikimeve dhe ndikimi që kjo ka mbi tregun. Ai e cilësoi këtë një veprim jo thjesht jo etik, por mbi të gjitha jo profesional dhe që shkakton një çrregullim të tregut muzikor. Përsa i përket artistëve të Kënga Magjike, Nini sqaroi:

“Ka artistë që kanë blerë klikime, jo vetëm për këtë edicion por edhe për shumë vite të tjera përpara këtij edicioni të Këngës Magjike. Unë kam telefonuar secilin artist që ka blerë klikime për festivalin. Janë shtatë artistë këtë vit. Jo për tu thënë që e di, por për tu shpjeguar si mund të bëjnë marketing real pa blerë klikime. Nëse ne do tregonim emra do dënonim edhe ata që e kanë që të detyruar të blejnë klikime sepse të njëjtën që po bën edhe konkurrenti i tyre.” Klikimet vijne sidomos nga vende si India, Indonezia etj. dhe shumë prej artistëve paguajnë kompani publikimi për strategji marketing dhe në padijeni përfundojnë me klikime të blera. “Në sektorin e cyber-crime, ky është sektori që hyn si mashtrim, patjetër në bazë të kodit penal shqiptarë këta njerëz mund të dënohen. Si për shitjen e klikimeve, ata që ndihmojnë bëjnë transaksionin financiar, por dhe kundrejt çdo lloj personi që është i përfshirë, si edhe menaxheri, apo kompanitë publikuese që mburren. Janë shumë njerëz të përfshirë që mund të dënohen”, tha me tej.

Në programin “Ndryshe” sakaq, bëri dhe disa emra. “Ne kemi një listë shumë të gjatë artistësh që ne i menaxhojmë. Të gjithë atyre i ka shkuar në majë të hundës pjesa e blerjes së klikimeve, pjesa më e madhe e do këtë gjë, nuk duan të konkurrojnë me artistë të tjerë që i blejnë klikimet. Nuk i kemi vënë në dukje më parë, tani ka ardhur momenti. Personi pasi pa lajmin më tha që ‘çfarë të duhet ty që fut hundet’. Është Ardit Çuni. I thashë Arditit mua mu deshën gati 10 sekonda të gjeja Shqipërinë, aq poshtë ishte. 668 klikime ka vetëm nga Shqipëria, 37 mijë klikime nga India. Alban Ramosaj, kam shumë respekt për të, por kënga ‘A je me najkon’ ka vetëm 13 mijë shikime nga Shqipëria. Kjo mendoj se është viktimë dhe jo që i ka blerë vetë. Ergita Bahja ka kënduar te ‘Kënga Magjike’. Kishte më shumë nga Kazakistani. Një nga artistët që nuk ka aspak nevojë të blejë klikime por ka dalë në sistemin tonë është Ledri Vula, kishte blerë klikime te kënga ‘Monaco’, u shpreh Nini.

Shumë shpej pas kësaj erdhi reagimi i Alban Ramosajt. Ai ka publikuar një postim në rrjetin social Instagram, ku shkruan: “Për aq kohë sa jam lajmi…faleminderit”!

Edje Ardit Cuni reagoi duke thënë se e gjithë kjo po bëhet për marketing. “Do ju lutesha që për arsye profesionale mos t’i jepni zë kësaj gjëje, sepse është komplet një idiotësi. Personi në fjalë po mundohet që të bëjë marketing me anë të emisioneve dhe të lajmeve që do të shkaktohen me emrin tim apo të kujtdo tjetër sepse e di shumë mirë që ndryshe nuk ia var njeri dhe përveç kësaj di vetëm që më janë lutur disa herë që të bashkëpunoj me kompaninë e tyre dhe nuk kam pranuar. Kjo është një nga arsyet pse goditem unë apo artistët në fjalë që janë përmendur. Nuk më bën sens”, u shpreh ai.