Le të luten! Trego, çka është legale këtu? Nëse filloni me rrënime të objekteve pa leje, rrafshohet Kosova!

Nuk ka zarar prej lutjeve!

Është absurde dhe është grackë e madhe ta akuzosh dikënd pse i lutet Zotit ‘ilegalisht’!

Lutja në çdo rast është legale!

Edhe vrasësit ndërtojnë kisha e xhamia.

Sidomos vrasësit kanë nevojë të sëmurë të ‘pajtohen’ me Zotin!

Mëkatarët më të mëdhenj i gjen në rendin e parë të kishave e të xhamive!

Kishat dhe xhamitë te shqiptarët janë ndërtuar nga pushtuesit.

Sigurisht e dini!

Të gjitha fetë te shqiptarët i sollën pushtuesit!

E pastaj pushtuesit u mërzitën me neve, shkuan apo i përzëmë, s’jam e sigurt.

Por kryesore, fetë nuk i morën mbrapshtë me vete!

Shqiptarët nuk kanë ndërtuar asgjë historike në jetën e tyre, hiç asgjë, shqiptarët kanë ndërtuar veç kaçakë, bufe e kafene.

Sepse, Zoti ynë është kënaqësia.

Tjetër gjë që pushtuesi e ka pru’ besimin me zor, derisa zanati për të qenë fetar u shndërrua në mënyrë të jetës dhe derisa zori u shndërrua në qejf! Tash ka mbetur vetëm frika nga Zoti!

Kënaqësi në frikë nuk ka!

Nëse ju mendoni se shqiptarët ndonjëherë në jetën e tyre kanë ndërtuar diçka të hairit, tregoni çka është ajo që e paskan ndërtuar shqiptarët e unë nuk e ditkam!

Qe 21 vjet shqiptarët e lirë ia kanë zënë dritën diellit, qe 21 vjet mafia shqiptare e ndërtimit s’kanë lënë gjë pa shkatërruar, e kanë asfaltuar natyrën, i kanë gërryer shkëmbinjtë, e kanë vjedhur ujin, tokën, nëntokën, kanë ndërtuar soliterë një mbi një dhe çka tjetër ka ndodhur këtu?

Të ishte ilegale veç kisha në oborrin e universitetit…

Trego, çka është legale këtu?!

Kush u tregua armik më i madh i shqiptarëve më shumë se shqiptarët?

Serbia duhet të paditet për gjenocid, për shfarosje të familjeve shqiptare, për vrasje të fëmijëve, për kalljen e mijëra shtëpive e shkollave, për shkatërrimin e xhamive, e jo pse disa popë luten në një kishë pa leje!

Le të luten!

S’janë interesant!

P.S. Lutja e legjitimon kishën, lutja e legjitimon xhaminë.

Lutja e shëron trupin se lëre më shpirtin!

Nëse filloni me rrënime të objekteve pa leje, rrafshohet Kosova!