“Para 31 gushtit hapim tunelin e 5″/ Balluku: Brenda vjeshtës lidhet Sauku me Maternitetin e ri!

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka deklaruar se para datës 31 gusht do të hapet loti i 5 i Unazës së Re. Gjatë inspektimit të punimeve, Balluku u shpreh se të gjitha lotet e hapura deri tani janë definitive dhe nuk do të ketë më mbyllje të tyre, vetëm në rast se kërkohet devijimi i trafikut nga ARRSH për ecurinë e punimeve.

Ministrja deklaroi se deri më tani janë kryer 50% e punimeve për Unazën e Re, duke theksuar se brenda vjeshtës synohet të lidhet edhe zona e Saukut me Maternitetin e Ri. “Është vlerësuar hapja e segmentit, të mbikalimeve në lotin e dytë edhe ecurinë e punimeve e kemi 50%. Në unazën e Tiranës, të gjitha pjesët që janë hapur janë definitive dhe nuk kemi asnjë plan t’i mbyllim. Devijimi i trafikut është një vendim që merr ARRSH për t’iu mundësuar ju që të punoni dhe qytetarëve që të kalojnë. Ashtu si në të gjitha projektet që janë nisur në Unazën e Tiranës, na është dashur të rishikohet projekti. Kemi bërë akomodimin e duhur sa i përket trotuareve, ndriçimit.

Të gjitha projektet brenda zonave urbane, kemi pasqyruar të gjitha kriteret. Jam shumë e kënaqur me nivelin e ecurinë dhe raportet që marr nga ARRSH për cilësinë e punimeve. Janë marrë të gjitha masat për mbledhjen e ujërave dhe cilësinë e punimeve, Që të mos kemi përmbytje në kohën e vjeshtës dhe dimrit. Kemi vënë një afat të 31 gushtit. Para kësaj date, ne hapim tunelin e 5 dhe më pas vazhdojmë me të gjitha dorëzimet e pjesëve të tjera. Pjesa e segmentit nga TEG-u deri te materniteti i ri të përfundojë brenda vjeshtës që të lidhim të gjitha lotet. Janë dashur ndërhyrje për 2.3 km që nuk bëhen as për 60 km. Unaza e Madhe e Tiranës do marrë një formë që të nisim procedurat për sa i përket pjesës së re, për të lidhur sheshin Shqiponja, bulevardin e ri”, u shpreh Balluku.