Hapet pika e përbashkët kufitare Shqipëri-Mali i Zi

Sot në Grabom të Malësisë së Madhe është hapur një pikë e re e përbashkët kufitare Shqipëri-Mali i Zi.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se në këtë pikë të re kufitare me Malin e Zi qëllimi është që njerëzit e rajonit të ndjehen dhe të jenë të lirë si në BE.

Ndërsa, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, tha se kjo konfirmon forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

Ai e vuri theksin te bashkëpunimi, ndërsa tha se vendet nuk mund të bëjnë pa njëri-tjetrin, por se bashkë mund të bëjnë shumë.

Në momentin e prerjes së shiritit të kuq, kryeministri malazez bashkë me Ramën mbajnë në dorë gërshërët, ndërsa zëvendëskryeministri i Malit të Zi me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviq mban duart e të dyve duke shpallur zyrtarisht hapjen e pikës kufitare.