Edi Rama: Vaksinimi mund të bëhet i detyrueshëm për studentët

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në Facebook një video nga Rezidenca Studentore Universitare nr. 2, ku shihet së bashku me ministren Kushi duke vizituar ambientet brenda. Në postimin e tij, Rama shprehet se vaksinimi do jetë i detyrueshëm për studentët që do nisin vitin e ri Akademik për shkak të situatës epidemiologjike në vend.

“Tiranë, Në Rezidencën Studentore Universitare nr. 2- Viti i ri Akademik do të nisë me kushte shumë më të mira në shumë godina studentësh, ndërkohë që puna do të vijojë papushim deri kur edhe godina e fundit studentore në vend të ketë po këto kushte.

Vaksinimi i studentëve është një domosdoshmëri për ecurinë normale të këtij viti të ri akademik, kur bota po përballet me shenjat shqetësuese të një vale të tretë infeksioni, për shkak të variantit Delta të koronavirusit, prandaj të gjithë studentët duhet të mbajnë qysh sot parasysh, se në varësi të numrave epidemiologjikë, vaksinimi mund të kthehet i detyruar për këdo që hyn në auditore”, ka shkruar Edi Rama.

Gjatë vizitës në Rezidenca Studentore Universitare nr. 2, Rama është shprehur: “Duhet të komunikojmë intensivisht në të gjithë rektoratet është se mund të vijë momenti duke pasur parasysh edhe çfarë po ndodh nëpër botë dhe rritjen e numrave, rreziqet që paraqet varianti i ri Delta që vaksinimi për studentët që hyjnë në auditore do të jetë i detyrueshëm dhe do të duhet që t’ju komunikohet kjo vijimësisht që nëse vjen momenti, të mos thonë pse s’na thatë.

Këtu s’ka “dua, s’dua” se për të gjithë ata që kanë pjesë të aktivitetit të tyre, të qenit bashkë me të tjerë, është përgjegjësi që nëse për veten e tyre mund të thonë që s’duan t’ia dinë, të tjerët nuk mund t’i marrin në qafë.

Është e pamundur të lejojmë që të kemi përshkallëzim të panevojshëm të numrave dhe pastaj të shkojmë në masa që kurrë nuk duhet të kthehen mbrapsht në Shqipëri“.