Albana Fico: Grupmosha 18-40 vjeç, 24 % e vaksinuar

Pandemia e të pavaksinuarve. Kështu po e quajnë ekspertët rritjen e numrit të të infektuarve nga qarkullimi i variantit Delta. Në një intervistë për Tv Klan, drejtoresha e ISHP, Albana Fico thotë se nga afro 840 mijë (839 145) qytetarë të grupmoshës 18-40 vjeç, janë vaksinuar 24 %e tyre, ose e thënë ndryshe 202 mijë persona.

“Kemi me dozë të parë 24% dhe me dozë të dytë 12%”.

E pyetur nëse do të ketë penalizime për kategoritë që nuk do të kryejnë vaksinë, Fico thotë se ajo pakicë e të pavaksinuarve do të kryejë test të shpejtë çdo javë.

“Nuk shikoj penalizimin, unë shikoj një nxitje për procesin. Do të komunikohet direkt me mjekun e familjes për të kryer këto testet e shpejta.”

Ndonëse Tirana ka numrin më të lartë të rasteve aktivë me Covid, në krahasim me popullsinë situata paraqitet më mirë në kryeqytet.

“Është Saranda, Kavaja, Lezha bashkitë e vogla dhe Vlora, Shkodra dhe Berati. Tirana ka infeksione më të larta, por si incidencë qëndron e 14-ta në listë.”

Por përse Covid po rritet më shpejtësi në rrethe, kryesisht ato turistike?

“Dëndësia e popullsisë dhe mosrespektimi i rregullave”.

Në Shqipëri vala e re e Covid ka sjellë rritje të infektimeve, duke e çuar numrin e personave pozitiv aktivë në afro 11 mijë./klan