Zaev për tragjedinë e zjarrit në Tetovë: Së pari të përfundojnë hetimet, pastaj do të flasin politikanët

Shkup, 25 shtator – Kryeministri Zoran Zaev, në lidhje me tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku humbën jetën 14 persona, tha se organet hetimore fillimisht duhet të përfundojnë punën, dhe pastaj të gjithë duhet të thirren për të marrë publikisht përgjigjet që njerëzit duan të dëgjojnë, shkruan 360 shkallë.

“Ne nuk ikim nga transparenca dhe kontributi për të zbuluar të gjitha detajet dhe për të dhënë të gjitha përgjigjet në lidhje me atë që ndodhi në Tetovë, arsyet për shkaktimin e zjarrit dhe vetë zjarrin. Por, le të punojnë së pari autoritetet hetuese. Përfaqësuesit politikë nuk mund të jenë bartësit kryesorë të hetimit. Kur të përfundojë hetimi, do të njoftohet.” tha Zaev duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me kërkesën e VMRO-DPMNE-së për të formuar një komision hetimor në Parlament për të dëgjuar të gjitha palët në lidhje me ngjarjen tragjike.

Ai theksoi se parlamenti ka atë të drejtë dhe ka praktikuar në të kaluarën të hapë një debat përmes një komisioni hetimor special për të diskutuar të gjitha detajet.

“Përfaqësuesi i parë i njerëzve tanë është parlamenti dhe ne nuk e kemi problem të jemi atje dhe të japim përgjigjet e nevojshme që njerëzit tanë duan të dëgjojnë.” tha Zaev.