Tragjike: Nga Covid vdesin katër anëtarë të të njejtës familje në Tetovë

Tetovë, 2 shtator – Katër anëtarë nga e njejta familje kanë vdekur në Covid qendrën në spitalin e Tetovës.

Të gjithë katër pacientët kanë qenë nga e njejta familje dhe sipas anketës epidemiologjike, viktimat kanë qenë në një dasëm të afërt familjare, ndërsa brenda një jave kanë vdekur që të katërt, informon Zhurnal.

“Tani është pandemi. Gjithandej duhet të ketë alarm për mos grupim dhe distancë. Tek ne këto masa nuk respektohen dhe për fat të keq kemi numër të madh të të vdekurve. Shumica kanë imunitet të dobët dhe është gjenetikë. Këtë javë kemi katër të vdekur nga e njejta familje. Ata janë infektuar në dasëm dhe të gjithë vdiqën. Personat janë nga e njejta familje. Kanë banuar në dy shtëpi të ndryshme afër njëra tjetrës dhe vazhdimisht kanë qenë në kontakt. Kemi dhe familje ku kemi patur fotografi të rëndë shëndetësore por për fat të mirë kanë dalë shëndosh e mirë nga spitali. Qytetarët nuk ruhen, kanë imunitet të dobët dhe shumica janë të pavaksinuar. Qëndrojnë në grupe dhe nuk mbajnë maska, nuk janë të vaksinuar”, ka deklaruar mjekja Miranda Pajaziti.

Sipas saj, varianti Delta është lloj që shpërndahet më lehtë, ndërsa arsyeja që kaq pacientë përfundojnë me fatalitet është përshkak imunitetit të dobët.

“Varianti Delta është më e fuqishme për dallim nga variantet tjera ku më herët një person mund të infektonte deri në tre persona ndërsa tani mund të infektojë deri në nëntë persona”, thotë mjekja.

Ndryshe dje u shënua dhe viktima më e re në moshë që nga fillimi i pandemisë, e ajo është një paciente 15 vjeçare nga Sellca e Tetovës.//Zhurnal.mk